Debat për dialogun Kosovë-Serbi/ Kurti për takimin e së martës me Vuçiç: Po shkoj me disa parime

Debat për dialogun Kosovë-Serbi/ Kurti për takimin e së

Kryeministri Albin Kurti thotë se takimin e të martës me Presidentin e Serbisë, Vuçiç, nuk e sheh si takim të radhës por hapin e parë që mund të sjellë marrëveshjen finale mes dy vendeve. Opozita në Kosovë mendon se kryeministri po shkon i papërgatitur dhe pa platformë.

Kosova jeton e lirë e në paqe prej 22 vitesh, që pas kapitullimit të trupave serbe dhe tërheqjes së tyre nga vendi më 11 qershor të 1999-ës, nën diktatin e bombave të NATO-s.

Megjithatë Serbia ende vazhdon ta konsiderojë Kosovën, me ligj, pjesë integrale të vetën.

Parlamenti në Prishtinë debatoi të premten mbi vijimin e dialogut mes dy fqinjëve për të normalizuar marrëdhëniet.

Pas ndërprerjes disamujore, kryeministri Albin Kurti pritet të martën të përballë për herë të parë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Kurti tha se do tregohet parimor në Bruksel.

 “Uniteti i brendshëm është i rëndësishëm për rritjen e pozicionit negociues të Kosovës. Është e rëndësishëm të ndërtojmë konsensus për këtë çështje. Ne jemi duke raportuar në komisione dhe kuvend ende pa filluar dialogu. Unë kam ftuar krerët e opozitës dhe qasjen e dialogut e dini se atë e kam përsëritur disa herë.

Unë po flas cilat janë parimet, pranimi i një realiteti të Kosovës së pavarur nga ana e Serbisë, pranimi i krimeve të Serbisë në Kosovën, barazia e përfaqësuesve dhe qytetarit si përfitues përfundimtar janë parimet tona udhëheqëse janë në dialog. Ajo që do të doja të kishim konsensus që mos ta trajtojmë shtetin tonë si pengë i mosmarrëveshjes me Serbinë.

Prishtina gjithashtu pret nga pala serbe ta shikojë në perspektivë dialogun, që ai të adresojë disa çështje njëherësh dhe në kushte pariteti.

“Është tejet e rëndësishme që palët e përfshira në bisedime të dizajnojnë që në start komponentët e procesit që garantojnë konvergjencën drejtë synimit përfundimtar. Kjo duhet të përfshijnë kornizat makro mbi elementet përbërëse të marrëveshjes.

Për shembull njohjen reciproke, njohjen nga pesë shtetet e BE-së, anëtarësimin në OKB, mbrojtja reciproke e komuniteteve respektove, mekanizma monitorues, afatet kohore dhe të ngjashme. Palët në tavolinë duhet të ndihen të barabarta në secilën fazë të bisedimeve. Marrëveshjet e arritura për çështje të pazgjedhura duhet të kalojnë edhe testin e përshtatshmërisë në normat ligjore dhe standardet e BE-së.”- tha Kurti.

Pavarësisht thirrjeve për unitet të brendshëm e koordinim politik rreth çështjes, krerët e partive të mëdha opozitare e kritikuan vizionin e Kurtit dhe mungesën e një platforme për dialogun.

Ramush Haradinaj i AAK-së kërkoi që Amerika të ketë vend më vete në tryezat e BE-së.

 “Sot nuk e tha por po e thotë në rastet e tjera se ka dialog të ri, nëse ka dialog të ri ju duhet ta dini deputet të nderuar se kur ka dialog të ri ky duhet ta sjell komplet një platformë të re në Kuvend me qëllime të reja, me ndërmjetës të ri, me afate të reja kohore dhe me rezultate. Nëse ka dialog të ri sille platformën në Kuvend mos bë hajgare, mos u tall me këtë temë. Dialogu i ri është një foto e Albinit me Vuçiqin javën e ardhshme, dialogu i ri është ajo që keni parë dje në kampusin e Universitetit të Prishtinës dhënia e statusit special për Kishën Ortodokse, për këtë temë do të duhej të diskutonim ne sot.

Ju po shkoni në dialog jo për njohje të ndërsjellë, por po shkoni në dialog që t’i normalizoni raportet me Serbinë. Ne po presim prej jush që të tregoni a do kemi njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, a do na njohin pesë vendet e BE-së, a do na anëtarësohemi në OKB a do anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare dhe NATO. Dialogun e keni nisur gabim dhe duke iu nënshtruar Serbisë mblidhe veten, mendoje mirë, në këtë Kuvend në jetën politike ke bërë filma që 15 vite tash ata skenarët që ke parë në kokën tënde.”- tha Hoxhaj.

 “Ju po udhëtoni në dialog tërësisht i papërgatitur, para se të flisni me Serbinë, duhet të flisni në këtë Kuvend, me qytetarët e juaj dhe përfaqësuesit e tyre. Ju duhet në parlament të parashtroni në kuvend që së paku i paraqet parimet dhe përkufizimet tuaja në këtë proces të rëndësishëm. Keni pasur tre muaj ditë kohë, por këtë kohë e keni shfrytëzuar për popullzim, por ja që të martën ju me dy këmbë e duar në tavolinë dialoguese”, tha  Lumir Abdixhiku.

“Prej kujt tjetër po fshihet kryeministri ynë ,a mos po fshihet edhe pse Serbisë mos Serbia për një arsye të caktuar ka ndonjë fuqi mbi kryeministrin tonë i cili nuk i lejon vetëm me marr qëndrim në këtë moment kritik para takimit me presidentin e Serbisë, me i sqarua pastër qëndrimin e Kosovës, të tija dhe tona. A mundet që kryeministri po fshehët prej aleatëve ndërkombëtarë që e kanë sjell në pushtet ishte shumë domethënëse një deklaratë e një eutodeputet që pyet kryeministrin e Kosovës se mos po i ndërron parimet..

A ka mundësi që kryeministri ynë po i ik Amerikës, që po fshehët prej Amerikës ka një kohë të gjatë që nuk e dëgjojmë kryeministrin e Kosovës risi është që kryeministri i Kosovës mos me i fillua diskutimet e me u përmbyllur kur flitet për çështje jetike për vendin tonë me Amerikën....

Si guxon kryeministri i Kosovës me shkuar në takime pra që janë nën patronatin e BE për pavarësinë e vendit të vetë dhe vetë deklaron që pesë jo njohësit kanë arritur me i bind të gjithë njohësit tjerë për një pozicion të dyshueshëm të tyre ndaj Kosovës, pra shkon pa Amerikën. Pse kryeministri i Kosovës nuk i drejtohet presidentit amerikan së bashku me presidenten dhe kryeparlamentarin qoftë edhe me -partitë tjera me i kërkua një emisar special për dialogun Kosovë-Serbi.”- shtoi më tej  Haradinaj.

Qëndrimet mbi raportet me Serbinë ishin një nga arsyet që e larguan Kurtin provizorisht nga pushteti vitin e kaluar, dhe të premten ai ia kujtoi me shaka këtë fakt, opozitës.

 “E kam veç një lutje në fund. Mos më rrëzoni edhe një herë, se mandej…Ju faleminderit.”- tha Kurti.

EMISIONET