Pallati i ri po shemb të vjetrin, banorët: Kanë bërë gërmimet në rrëzë të themelit tonë

Ndërtimet e objekteve të reja dita ditës po pushtojnë kryeqytetin, duke u bërë shpesh shkak i dëmtimit të objekteve ekzistuese.

I tillë është rasti për banorët e një pallati të vjetër në kryeqytet pranë shkollës 'Pjetër Budi', të cilët protestojnë kundër ndërtimit të pallatit të ri, i cili rrezikon themelet e godinës që jetojnë.

Dhjetë  familjet që jetojnë në afërsi të shkollës Pjetër Budi në kryeqytet kanë denoncuar cënimin e pronës së tyre nga gërmimëvë që janë bërë në afërsi të kollonave mbajtëse të godinave të banuara duke shkaktuar dëmtime.

Sipas banorëve, problemi është se themelet e pallatit të ri janë hapur shumë afër pallatit të vjetër, si rrjedhojë godina e vjetër ka devijuar, gjë që rrezikon shembjen e pallatit ekzistues.

Shqetësues është dhe fakti se punimet vazhdojnë gjatë orëve të vona të mbrëmjes, gjë që shkakton zhurmë dhe lëkundje në apartamentet e banorëve të pallatit të vjetër.

Një 80 vjeçar, banor i pallatit shprehet se gërmimet janë bërë shumë afër themeleve të pallatit dhe se godina ka pësuar dëmtime, si çarje të mureve dhe dritare të bllokuara nga devijimi i ndërtesës.

Ai thotë se themelet e pallatit rrezikohen nga punimet, që po bëhen për ndërtesën e re.

Dëmtimet vihen re në dritaret dhe orenditë e tjera, të cilat e kanë të pamundur mbylljen.

"Kanë bërë gërmimet në rrëzë të themelit tonë. Kanë hapur themelin në rrëzë të themelit tonë. Rrezikon themelet e pallatit. Këtë mund ta shikoni shumë kollaj, duket nga dritarja e ballkonit.

Gjëja më e vogël tektonike  të ndodhi  rrëshqet themeli dhe rrëshqitja e themelit do të thotë katastrofë për pallatin. Ky pallat i rezistoi tërmeteve, nuk pësoi asgjë, tani nga veprimet e këtyre ka pësuar dëmtime. Dritarja është e bllokuar, nuk lëviz. Lartë në tavan kanë filluar çarjet", shprehet banori.

Në tabelen e projektit të pallatit, thuhet se subjekti ndërtues është kompania ARB Trans 2010 shpk. Ky subjekt është  themeluar me daten 22.11.2010 me administrator Fatmir Firi. Në tabelë shkruhet se distanca mes pallatit që po ndërtojet dhe atij ekzistues është përcaktuar nga 5 deri në 10 metra. Por situata në terren, duket se tregon për shkeljen e sanksionimit në tabelë ndërkohë që situata bëhët akoma dhe më shqetësuese pasi gërmimet kanë lëvizur themelet mbajtëse të pallatit të banuar.

 

EMISIONET