Matura 2021/ "Rrjedh" dhe teza e Matematikës, Maturantët: Provimi ishte i vështirë

Pas Gjuhës Shqipe, edhe provimi i Matematikës cënohet rëndë nga publikimi i tezës para përfundimit të kohës së provimit. Maturantët thanë se provimi ishte i vështirë dhe i tremben ndikimit që do të këtë kjo notë në mesataren e vlefshme për pranimet në universitete.

Maturantët iu nënshtruan testit të matematikës, por provimi sërish nuk i shpëtoi incidentit tashmë të zakonshëm të publikimit të tezës së pyetjeve.

30 minuta pasi maturantët hynë në klasa, në rrjetet sociale qarkulloi fleta e provimit të matematikës. Pasi dolën nga provimi, maturantët deklaruan se testi ishte i një niveli mbi mesatar.

Duke pranuar se pyetjet që qarkulluan në internet ishin ato të privimit që u zhvillua në klasa, nxënësit e konsiderojnë të padrejtë rrjedhjen e tezës pasi cenon meritokracinë.

"Mendoj që na penalizon pak, por mendoj që bëhet nga njerëz të papërgjegjshëm kjo. Është një gjë që na prish ne punë në një lloj mënyrë apo në një tjetër," tha një maturante.

I të njëjtit mendim janë edhe familjarët e të rinjve.

"E konsideroj padiskutim të padrejtë. Fakti që dikush ka mësuar shumë më shumë gjatë vitit, barazohet me atë që nuk ka mësuar, por ama mund të ketë shitur pyetjet. Kjo padiskutim ndikon jo vetëm te nota e provimit, por te përzgjedhja e maturantit, te shkolla dhe te e gjithë jeta e tij në vijim."

Në përfundim të provimit maturantët thonë se ai ishte i vështirë, dhe se kjo mund të ndikoj në mesataren përfundimtare.

"Po për shembull ekuacione, inekuacione nuk kishte, trupa gjeometrikë nuk kishte, ishte i vështirë."

"Ishte mbi nivelin mesatar, kishte gjëra që nuk i prisnim shumë që të binin."

"Ishte i vështirë, shpresojmë të dalim mirë tani."

Ministria e Arsimit ka deklaruar se për publikimin e tezës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë çështja po ndiqet në rrugë ligjore. Provimi i radhës është ai lëndëve me zgjedhje dhe do të zhvillohet në 15 qershor.

QSHA njofton se rezultatet do të dalin brenda muajt qershor për të mos penguar asnjë maturant që dëshiron të studiojë jashtë vendit.

EMISIONET