Seanca e fundit plenare për këtë sesion/ Kuvendi sot shqyrton raportin e SPAK dhe të institucioneve të tjera të drejtësisë

Kuvendi zhvillon këtë të enjte seancën e fundit plenare për mbylljen e sesionit parlamentar.
Në rendin e ditës janë 34 pika, ku vendin kryesor e zënë raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, disa projektligje, akte normative, interpelanca me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe votime për emërime në Komisionin e Prokurimit Publik.
Punimet do të nisin me miratimin e procesverbaleve të seancave të mëparshme dhe njoftimet, për t'u vijuar me shqyrtimin e projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë gjatë vitit 2025.
Deputetët do të diskutojnë raportet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Vëmendja pritet të përqendrohet te raporti vjetor i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), një nga pikat që pritet të shoqërohet me debat politik gjatë seancës.
Në rendin e ditës janë përfshirë edhe një interpelancë dhe dy seanca pyetje-përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Blendi Himçi, Bujar Leskaj dhe Erald Kapri.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu dy akte normative, mes tyre edhe financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare, si dhe një sërë projektligjesh që lidhen me ekonominë, turizmin, Kodin Detar, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura, Avokaturën e Shtetit, kontabilitetin, pronësinë industriale dhe shoqëritë evropiane.
Në fund të seancës janë parashikuar votimet për emërimin e kryetarit dhe tre anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa punimet do të mbyllen me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Seanca vjen pas mbledhjes së kaluar, e cila u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me rendin e ditës dhe raportimin e Avokatit të Popullit. Ndërkohë, për ditën e premte është njoftuar një protestë para Kuvendit, ku protestuesit kanë paralajmëruar një tubim simbolik në përfundim të sesionit parlamentar.
RENDI I DITËS
Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 23.7.2026, ora 10:00. II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë: 1
1.Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 16.7.2026 dhe 20.7.2026.
2. Njoftime.
3. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025”.
4. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”.
5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025″.
6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025”.
7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”.
8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025″.
9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025”.
10. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.
11. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Bujar Leskaj.
12. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
13. Akt normativ nr. 2, datë 30.6.2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026″
14. Akt normativ nr. 3, datë 6.7.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturorturistik me përmasa ndërkombëtare”.
15. Projektligji “Për grupimet ekonomike me interes evropian”.
16. Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”.
17. Projektligji “Për statutin e shoqërive evropiane (SE)”.
18. Projektligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”.
19. Projektligji “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve”.
20. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 48/2014, “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”, të ndryshuar”.
21. Projektligji “Për shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
22. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 93/2015, “Për turizmin”, i ndryshuar”.
23. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 08.07.2004, “Кodi Detar Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
24. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar”.
25. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10093, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”””.
26. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2018, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”
27. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947, datë 07.07.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar”.
28. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 173/2014, “Për disiplinën në Forcat Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
29. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 82 datë 26.07.2024, “Рër Policinë e Shtetit”.
30. Projektvendim “Për emërimin e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik”.
31. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.
32. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.
33. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.
34. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.


