Qeveria flet për grusht shteti, Rama: Pas bojkotit në Rinas fshihen Saliu e Iliri. Kërcënon kontrollorët

Qeveria flet për grusht shteti, Rama: Pas bojkotit në Rinas fshihen

Pas Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku lidhur me pezullimin e fluturimeve në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit "Nënë Tereza" vjen edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.

Teksa shprehet se një akt i tillë është i dënueshëm ligjërisht, edhe ai ashtu si vartësja e tij fajëson presidentin Ilir Meta dhe ish kryeministrin Sali Berisha.

"Bojkotimi i punës për kontrollin ajror është vepër penale dhe ndëshkohet ligjërisht!", shkruan Rama në një postim të tijin në Facebook.

Sipas kryeministrit, "Ilir dhe Saliu duan bllokimin e aeroportit në mënyrë që mos vijnë vaksinat".

Rama: "Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit "Nënë Tereza" nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës "Leshko" dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat! Organizatorët do të kallzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin,që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cenim të sigurisë kombëtare".

13:33 - Pas pezullimit të të gjitha fluturimeve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit “Nënë Tereza” dhe pas mosarritjes së marrëveshjes me punonjësit e AlbControl, ministrja  e Infrastrukturës Belinda Balluku ka dalë në një konferencë për mediat ku ndër të tjera është shprehur se pagat e kontrollorëve nuk varen nga qeveria por janë të ardhura që vijnë nga trafiku ajror.

Sipas Ballukut, përderisa trafiku ajror ka rënë për shkak të pandemisë Covid-19, pagat e kontrollorëve, që kanë rreth 4.4 milionë lekë, janë ulur në rreth 2.4 milionë.

Ministrja shtoi se, shteti nuk i ka dhënë kurrë asnjë qindarkë Albcontrol, ndërsa i quajti pagat e kontrollorëve anormale për Shqipërinë.

"Kontrollorët në 2019 që ka qenë viti i fundit i rregullt, kanë elaboruar, përpunuar, operuar në total 216 mijë avionë. Gjatë 2020 dhe në fillim të këtij viti kanë operuar me 102 mijë avionë. Trafiku në total për shkak të pandemisë ka rënë me 57% në 2020, ndërkohë që edhe në muajin janar, shkurt, mars që sapo është mbyllur trafiku ka qenë -57%. Operatorët e navigimit ajror, kontrollorët përpunojnë sot që flasim, prej 43% të trafikut normal. Për herë të fundit ka qenë në Republikën e Shqipërisë, mbarë botën deri në mars të 2020.

Kontrollorët deri në 2019 kanë pasur paga të cilat arrinin edhe në 4 milion e 440 mijë lekë, shifra që nuk janë shumë normale. Gazetarët janë shumë të habitur, nuk janë të lidhura me buxhetin e shtetit. Nuk janë në varësi të buxhetit të shtetit, vendosen në marrëveshje mes AlbControl dh IATA. Kam marrë shembull disa nga punonjësit. Rreth 4 mijë e 400 dollarë rroga. Sot janë në nivelin, për shkak se përpunohen vetëm 43%, sot marrin 2milion e 449 lekë. 2 mijë e 490 dollarë”, tha ndër të tjera Balluku.

Më tej, duke cituar ligjin., Balluku e quajti ilegale këtë grevë ndërsa shtoi se për shkak të pezullimit të fluturimeve sot nuk mund të vijnë dozat e rradhës së vaksinës anti-Covid.

Balluku shkoi deri aty sa e quajtir grusht shteti dhe cënim të sigurisë kombëtare. Ndërsa nuk kurseu as presidentin Ilir Meta dhe ish kryeministrin Sali Berisha.

Balluku: Kam ndjekur me vëmendje Sali Berishën i cili ka një ekzaltim të madh sepse do të mbyllet aeroporti i vetëm ndërkombëtar. E gjitha kjo është një organizim i mirëfilltë politik për shkak të fushatës. Sot në aeroportin e Rinasit nuk do të vijnë dot vaksinat që duhet të vinin për të vazhduar vaksinimin e shqiptarëve. Unë do t'i kërkoja Presidentit të Republikës i cili i ka takuar më parë i ka takuar dhe i ka informacion kontrollorëve të trafikut ajror.  Do të doja të dija nga zoti Meta a mendon se do të duhet të bllokohet ardhja e vaksinave"? A duhet vendi të kapet peng, është një grusht shteti, a duhet të kapet nga disa persona të cilat janë të stresuar me pagën 2490 dollarë dhe nëse nuk ja bëjnë 4490 dollarë atëherë ato do të mbajnë vendin peng. Erdha në Rinas, ose të iki dhe të bjerë vendimi i këshillit mbikqëyrës Erdha të flas me ato se kjo nuk është një lojë këtu preket çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe siguar e qytetarëve dhe lëvizja e lirë e qytetarëve. Nuk është një lojë nga ky moment do të nda duhet të marrim disa masa ligjore.

Kërkesat e kontrollorëve
– Rikthim i kolegëve në punë;
– Shfuqizim i vendimeve të bordit;
– Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive;
– Transparencë financiare e plotë për vitin 2020;
– Një anëtar sindikate të jetë anëtarë bordi.

13:03 - Asnjë fluturim nga Aeroporti "Nënë Tereza" në Rinas duke nisur nga sot e deri nesër më 8 prill.

65 punonjës të AlbControl kanë pezulluar punën për shkak të pagave të tyre, stresit në punë dhe kërkojnë zgjidhje të kontratës.

Ata u takuan ditën e sotme me ministren Belinda Balluku por pa arritur në një marrëveshje. Kjo situatë ka sjellë edhe pezullimin e të gjitha fluturimeve siç njofton edhe Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, ICAO.

Madje edhe tek mbikalimet nuk do të ketë punonjës për të njoftuar nëse është qielli i lirë për avionët apo jo.

10:41 - Ndërpriten fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas.

Njoftimin e jep vetë aeroporti përmes faqes zyrtare në Facebook ku shpjegon se, shkak është bërë protesta e stafit të Agjencisë së Trafikut të Kontrollit Ajror.

Bllokimi ka zgjatur nga ora 09:23 deri më 09:55, ndërsa më pas kanë rifilluar operimet.

Lexo edhe: Nga sot bllokohen fluturimet në Rinas, shkak greva e Albcontrol, Berisha: Ndrikull Gryksia pushoi 5 kontrollore

Njoftim

Sot, më 7 Prill 2021, nga ora 9.23 deri në ora 09.55, orë lokale, janë ndërprerë operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, për shkak të mungesës së stafit në Agjencinë e Trafikut të Kontrollit Ajror.

Dy fluturime janë prekur nga ky fakt, Aegean Airline me destinacion Athinë-Tiranë dhe Air Albania me destinacion Stamboll-Tiranë, që do të ketë 40 minuta vonesë. Aegean Airline është kthyer sërish në Athinë. Operimet kane rifilluar në 09.55 dhe Aegean pritet të riniset për të sjellë pasagjerët në Tiranë.

Tirana International Airport

KËRKESAT PËR RIKTHIM NË PUNË:

Rikthimi në punë i kontrrollorëve të hequr,

anullimi i vendimit të bordit më 24 prillit 2020,

një anëtar i sindikatës në bord,

transparencë finaciare

dorëheqjen e menaxhmentit

EMISIONET