VIDEO/ Rama: Historia ka provuar se drejtësia si “plumbi ballit apo gijotina”, nuk është zgjidhje afatgjatë
Gjatë një fjalimi të mbajtur së fundmi mbi sfidat e shtetndërtimit dhe drejtësisë, kryeministri Rama theksoi se teknologjia dhe inteligjenca artificiale janë çelësi për të përshpejtuar zhvillimin institucional.
Kjo epokë e re teknologjike, sipas shefit të Ekzekutivit pritet të shkurtojë dekada të tëra pune për ndërtimin e një shteti funksional.
Sipas Ramës, historia ka provuar se drejtësia e menjëhershme, e cila dikur përkthehej në ndëshkime ekstreme si "plumbi ballit apo gijotina", nuk është zgjidhje afatgjatë.
Rruga e vetme për të mbrojtur të ardhmen e brezave, tha ai, mbetet demokracia, balancimi i pushteteve dhe krijimi i një sistemi që i garanton të drejtat çdokujt, duke përfshirë edhe të akuzuarit.
Më tej, Rama nënvizoi se ndërtimi i një shteti të fortë nuk bazohet te episodet e zhurmshme. Këto të fundit, ndonëse mund të ndihmojnë përkohësisht, nuk formojnë një sistem të qëndrueshëm. Baza e vërtetë e shtetndërtimit qëndron te tërësia e hapave të hedhur me durim dhe në heshtje.
Ajo që do të bëjë diferencën dhe do të ndihmojë në kapërcimin e kohës së nevojshme për ngritjen e sistemit me një shpejtësi të pazakontë, është inkorporimi i inteligjencës artificiale. Duke marrë si shembull administratën publike tejet të strukturuar të Francës, u la të kuptohet se integrimi i teknologjisë do të jetë mekanizmi kryesor për një transformim rrënjësor të institucioneve.
PJESË NGA FJALA E RAMËS
... Nga ideja e drejtësisë së aty për atyshme dhe që shkuan tek plumbi ballit apo tek gijotina, na kanë mësuar që kjo e demokracisë dhe e balancimit të pushteteve dhe e ndërtimit të një sistemi që garanton gjithkënd, dhe garanton madje edhe të akuzuarin, është e vetmja rrugë për të garantuar brezat.
Pse po zgjatem në këtë pikë? Sepse dua të jem shumë i qartë me të gjithë nga eksperienca ime. Besoj që e kam sot mundësinë që nga maja e kësaj eksperience, që është tanimë goxha vjeçare, të them që në fund të ditës ajo që është e rëndësishme për shtetndërtimin nuk është episodi, por është tërësia e hapave që hidhen me durim dhe pa zhurmë.
Episodet e zhurmshme ndihmojnë në një mënyrë ose në një tjetër, por nuk bëjnë sistemin. Dhe besimi im për... për pse Shqipëria mund ta kapërcejë me një shpejtësi të jashtëzakonshme atë që është koha e domosdoshme për ta ndërtuar sistemin, lidhet vetëm me një fakt.
Me faktin që Shqipëria sot ka fatin të jetojë në epokën e teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale. Franca, ambasadorja është aty, ka një nga administratat publike më të strukturuara në planet.


