e-Receta rrit saktësinë në përshkrimin e barnave dhe përmirëson trajtimin e pacientëve

Sistemi i recetave elektronike që lëshohen në platformën e-Albania ka rritur saktësinë në përcaktimin e barnave duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë dhe të kosto-efektivitetit në trajtimin e pacientëve.
Arjana Demiri, përgjegjëse në drejtorinë TIK në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shprehet se ky është një tjetër transformim i rëndësishëm digjital i zhvilluar nga AKSHI, që ka modernizuar mënyrën se si lëshohen, administrohen dhe shkëmbehen raportet mjekësore në Shqipëri.
Sistemi e-Raportet ka zëvendësuar dokumentacionin në letër me një proces plotësisht elektronik, duke e bërë lëshimin dhe administrimin e raporteve mjekësore më të shpejtë, më të sigurt dhe më transparent.
Demiri bën me dije se “mjeku harton dhe nënshkruan raportin elektronikisht, ndërsa ai transmetohet automatikisht te qytetari, punëdhënësi dhe institucionet përkatëse. Dokumenti bëhet menjëherë i disponueshëm në llogarinë personale të qytetarit në e-Albania, te seksioni “Dokumentet e mia”, pa qenë më e nevojshme paraqitja fizike për ta marrë apo dorëzuar atë”.
Sistemi automatizon plotësimin e të dhënave përmes ndërveprimit me regjistrat shtetërorë, mundëson bashkënënshkrimin elektronik nga disa mjekë kur kërkohet, si edhe korrigjimin apo anulimin e raporteve në raste të veçanta, duke garantuar saktësi, gjurmueshmëri dhe siguri maksimale të dokumentacionit.
“Për institucionet dhe punëdhënësit, procesi është bërë më efikas falë transmetimit automatik të raporteve në sistemet përkatëse, duke lehtësuar administrimin e mungesave në punë dhe përllogaritjen e përfitimeve. Po në të njëjtën mënyrë, raportet për nënat transmetohen elektronikisht edhe për justifikimin e mungesave të fëmijëve në shkolla”, tha Demiri.
Përmes e-Raporteve lëshohen elektronikisht raportet e paaftësisë së përkohshme në punë, raportet e barrëlindjes, raportet për nxënësit dhe studentët, si edhe një gamë e gjerë vërtetimesh që lidhen me gjendjen shëndetësore të qytetarëve.
Receta elektronike e lejon mjekun, të krijojë dhe të transmetojë në mënyrë elektronike një recetë si dhe farmacistin të ekzekutojë në mënyrë elektronike recetën. Sistemi i e-Receta lejon Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor që të monitorojë, kontrollojë dhe të rimbursojë recetën elektronike për çdo pacient.
Sistemi e-Receta rrit saktësinë në përcaktimin e barnave duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë dhe të kosto-efektivitetit në trajtimin e pacientëve. Gjithashtu, ky sistem ul mundësinë e dhënies së gabuar të barnave, ruan historikun për sëmundjen dhe trajtimin e pacientëve duke lehtësuar mjekun për të gjykuar trajtimin mjekësor në vazhdimësi, redukton ndjeshëm kostot administrative për recetën etj.


