“Flamingot” futen në Administratë! Rama: Po shqyrtojmë shqetësimet reale që vijnë nga sheshi! Sistemi po lufton korrupsionin

Ndarja mes administratës publike dhe asaj shtetërore ka nxjerrë në pah një realitet të hidhur për qytetarët shqiptarë. Ndërkohë që shërbimi civil numëron mijëra punonjës që kanë mundësuar një ecuri pozitive në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, administrata e gjerë shtetërore po përballet me një krizë të thellë shërbimi, duke shkaktuar zemërim masiv te qytetarët.
Në fjalën e tij në kuadër të “Javës së Administratës publike”, kryeministri Edi Rama i bëri një analizë e protestave të fundit, të cilat siç tha ai, tregojnë se pas zhurmës politike fshihet një pakënaqësi reale dhe e justifikuar e qytetarëve, e cila konsiderohet si "uji i pastër" i revoltave.
Shqetësimet e përditshme po i detyrojnë njerëzit e thjeshtë të dalin në rrugë, dhe një nga arsyet kryesore mbetet trajtimi degradues në institucionet e kujdesit shëndetësor.
Një episod i rëndë i bërë publik së fundmi ilustron thelbin e këtij zemërimi. Bëhet fjalë për të moshuar që detyrohen të paraqiten në dyert e poliklinikave që në orën 5:00 apo 6:00 të mëngjesit.
Arsyeja është tronditëse: mjekët jo vetëm që nuk respektojnë orarin zyrtar duke u paraqitur me orë të tëra vonesë, por e braktisin vendin e punës pasi vizitojnë vetëm tre ose katër pacientë. Të moshuarit dhe të sëmurët lihen në pritje të pafundme, duke humbur çdo mundësi për të marrë shërbimin jetik.
Kjo situatë ka bërë që edhe gjyshet, të cilat rrezikojnë dëmtime fizike në mes të turmave, t'i bashkohen protestave në bulevard. Për to, ky nuk është thjesht një problem moszgjidhjeje të një halli, por një poshtërim i pastër nga vetë shteti.
Fakti që qytetarët paguajnë taksa për të marrë mbrapsht trajtime të tilla denigruese nga personeli mjekësor, e ka çuar durimin në pikën e fundit.
PJESË NGA FJALA E RAMËS
Kërkon kohë. Kërkon kohë sepse bëhet fjalë për krijimin e mekanizmave që lidhen me njerëz, me shumë njerëz. Dhe besoj që po të kthehemi për një moment mbrapa dhe të kujtohemi që ligji i parë themelor i administratës tonë publike është aprovuar afro një dekadë më parë, atëherë ne mund të kuptojmë se çfarë transformimi ka ndodhur në shërbimin tonë civil.
Dhe për të gjithë ata që na ndjekin, është e rëndësishme të bëjmë dallimin kur ne flasim për administratë publike, kemi parasysh shërbimin civil ku përfshihen rreth 4000, mos gabohem, po atëherë janë më shumë se kaq, por gjithsesi janë më pak sesa 10,000, ndërkohë që në numrin e përgjithshëm të administratës ne kemi dhjetëra mijëra të tjerë të cilët janë pjesë e administratës shtetërore.
Pra nuk janë, nuk është i njëjti nivel dhe kjo është diçka që ne nuk e kemi unike në Shqipëri, është në shumë vende.
Dhe nëse në administratën publike ku është, ku gjendet edhe i gjithë ai burim njerëzor që na ka mundësuar ecurinë shembullore me procesin e negociatave, ne kemi sot një kualitet të ri, në administratën shtetërore ne kemi sot një sfidë shumë të madhe përballë qytetarëve.
Sepse qytetarët kanë të gjithë të drejtën e tyre që të jenë shumë më kërkues dhe që të trajtohen shumë më mirë në shumë raste. Duke qenë se jemi në një moment specifik intensiv të rrugëtimit tonë si shoqëri, më lejoni të sjell këtu një episod nga shumë episode që ne po mbledhim për të lexuar si duhet protestën e bulevardit, në atë pjesë të saj që ajo protestë ka rëndësinë e vet themelore për ne që është zëri dhe që janë shqetësimet reale të qytetarëve.
Pra, ajo që unë e quaj uji i pastër dhe i rrjedhshëm i protestës, nën atë koren e zezë të asaj që për fat të keq është pjesa e zhurmshme dhe e dukshme ku janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë.
Në atë rrjedhë të madhe njerëzish ka shumë për të mësuar dhe episodi është ky: Nëna e një shokut tim, ai është pak më i ri se unë, por ajo është gjyshe që del në protestë. Edhe i biri më tregon që ishte alarmuar kur i kishin thënë që ka shkuar mamaja në protestë. Ishte alarmuar sepse ajo është në një moshë të caktuar që duke e imagjinuar në mes të një turme njerëzish gjëja e parë që të shkon në mend është që në qoftë se larg qoftë pengohet, rrëzohet mund të ketë edhe dëmtim fizik. Dhe ishte kthyer në shtëpi shumë i alarmuar edhe e pyet: 'O ma, çfarë bëre ti në protestë? Pse shkon ti në protestë?'
Edhe e ëma i tregon atë që është besoj unë, duke parë edhe episode të tjera që ne po mbledhim, thelbin e zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Për një arsye apo për një tjetër, nuk e kam mirë parasysh tani të natyrës shëndetësore, asaj i duhet të shkojë në mënyrë periodike në poliklinikë.
Dhe duke qenë se si ajo ka dhe të tjerë, që e dinë praktikën që ndjek mjeku që duhet të kujdeset për ta, njerëzit shkojnë atje që në orën 5:00, që në orën 6:00 të mëngjesit. Pse? Sepse presin që mjeku të vijë dhe shpresojnë që duke qenë përpara në radhë të kenë mundësinë që ai t'i shohi.
Sepse mjeku e para nuk vjen në orar, vjen gjithmonë një orë, dy orë më mbrapa, pra ata njerëz presin nga ora 5:00, 6:00 e mëngjesit deri në ora 9:00, 10:00, të moshuar. E dyta mjeku nuk rri deri në fund të orarit, po mbasi trajton tre-katër prej tyre, ikën. Dhe kjo grua në moshë, një gjyshe del në protestë sepse është e fyer. Dhe fyerja është fjalë e lehtë në fakt.
Sepse fyerja është një herë. Ky është një poshtërim. Dhe ndjenja e poshtërimit nga shteti yt, nga njerëzit që paguhen për të të shërbyer ty, është një ndjenjë që mjafton të bësh një përpjekje shumë të vogël për ta vënë veten në atë pozitë, për të kuptuar që është kulmi. Dhe njerëzit nuk ndjehen të fyer dhe të poshtëruar thjesht apo vetëm pse nuk e zgjidhin dot një hall, sepse jo çdo hall është i zgjidhshëm në rrugë administrative, sepse ne kemi parë që shumë halle kërkojnë zgjidhje...
VIDEO - Java e Administratës Publike, Kryeministri në eventin e edicionit të tretë me fokus shërbimin publik


