SKANDALI/ Posta Shqiptare mashtron zyrtarisht për rritjen e tarifave. Deklaron 70 lekë, por qytetarët i faturon 130 lekë!

Nga 4 maji i këtij viti, qytetarët shqiptarë u përballën me tarifa postare të rritura pothuajse dyfish.

Dërgesa e një letre 20 gramë, që kushtonte 70 lekë, u rrit menjëherë në 130 lekë.

Në lidhje me këtë shtrenjtim të papritur, gazetarja e "Tv Ora News", Alketa Çeku, i kërkoi informacion të detajuar Drejtorit të Përgjithshëm të Postës Shqiptare.

Përgjigja zyrtare e këtij institucioni ka zbuluar një skandal të pastër të mashtrimit publik me tarifat e reja të sherbimit postar.

Ndërsa institucioni i Postës Shqiptare deklaron zyrtarisht në rrugë shkresore se tarifa për një letër të thjeshtë deri në 20 gramë kushton vetëm 70 lekë, realiteti në sportelet e postës eshte krejt ndryshe.

Kjo është fatura zyrtare të lëshuar nga  sportelet e Postës Shqiptare vetëm pak ditë më parë. Për një letër të thjeshtë, me peshë ekzaktesisht 20 gramë, nuk paguhet tarifa 70 lekë, por plot 130 lekë.

Ky fakt nxjerr zbuluar institucionin, i cili jo vetëm që ka rritur tarifat në kurriz të qytetarëve, por tenton ta fshehë këtë fakt përmes mashtrimit në shkresat zyrtare.

Fatura që disponojmë është dëshmi e një sistemi që funksionon me dy standarde: një për t'u thënë gazetarëve në letra zyrtare, dhe një për t'u vjelë qytetarëve në sportele.

Institucioni i drejtuar nga Etjen Xhafaj e justifikon këtë reformë me pretendimin se ka një "gropë" prej 500 milionë lekësh të humbur në dy dekada (2003-2025) nga mosndryshimi i çmimeve.

Mirëpo, shifrat e tyre zbulojnë një kontradiktë të fortë: vetëm gjatë vitit të parë të zbatimit të tarifave të reja, institucioni parashikon të vjelë plot 600 milionë lekë shtesë. Kjo do të thotë se brenda vetëm 12 muajve, Posta do të nxjerrë nga xhepat e qytetarëve dhe institucioneve më shumë para sesa e gjithë humbja e saj e pretenduar e akumuluar në 22 vite.

Për të vulosur mungesën e transparencës, Posta Shqiptare ka refuzuar të na vërë në dispozicion analizën apo studimin ekonomik mbi të cilin është mbështetur vendimmarrja për rritjen e tarifave, duke shkelur në mënyrë flagrante Ligjin për të Drejtën e Informimit.

EMISIONET