Rama-Abazoviç: BE, korsi e përbashkët për ndërtimin e të ardhmes së Shqipërisë e Malit të Zi
Në Podgoricë u zhvillua mbledhja e dytë e përbashkët midis qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh mes dy vendeve, ku më e rëndësishmja është ajo për ndërtimin e urës në lumin Buna.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Podgorica se Bashkimi Europian është një korsi e përbashkët shpejtësia e së cilës lidhet pandashmërisht me korsinë e bashkëpunimit rajonal.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në përfundim të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Kryeministri Rama u ndal te sfidat me të cilat janë përballur dy vendet dhe Europa nga lufta në Ukrainë.
“Në radhë të parë dëshiroj të shpreh falënderime edhe në emër të gjithë delegacionit tonë jo për formalizëm diplomatik, por sepse edhe njëherë tjetër ne e kemi ndjerë në vetë të parë ngrohtësinë e pritjes dhe afrimitetin vëllazëror mes nesh”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shumë se sa vende fqinje.
“Ne takohemi në një moment shumë sfidues për mbarë Europën dhe vendet tona dhe në këtë kontekst përveç sfidave të drejtpërdrejta vlera e kësaj ngrohtësie dhe vëllazërie në fqinjësi bëhet edhe më e madhe. Kemi qenë së bashku për të vizituar Kievin dhe Presidentin Zelensky në respekt të mandatit tonë si kryeministra të dy vendeve që janë të rreshtuara qysh në momentin e parë të agresionit rus, në krah të Ukrainës. Të dy vendeve që janë plotësisht të linjëzuara me BE-në, të dy vendeve anëtare të NATO-s”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “si vizita jonë në Kiev, si përpjekjet tona të përbashkëta në të gjitha këto fronte, janë themeli i një marrëdhënie që ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar më tej”.
“E vërtetë është që vitin e kaluar krahasimisht me të këqijat e përbashkëta të një lufte e cila ka nisur jo thjesht për të copëtuar Ukrainën, por mundësisht për të gjunjëzuar Europën përmes kthimit të energjisë në armë dhe rritjes eksponenciale të inflacionit, ne kemi përjetuar aspektin e ecurisë sonë drejt integrimit të plotë në BE”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “kemi parë se si BE është bërë më e hapur dhe më i ndjeshme më në fund ndaj rajonit”.
“Më në fund Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i çelën negociatat. Më në fund Republika e Kosovës mori një datë për liberalizimin e vizave. Ashtu sikundër kemi parë për herë të parë në historinë e saj se BE u spostua jashtë kufijve të saj për të mbajtur një samit në Tiranë”, shtoi Rama.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, me Kryeministrin Edi Rama, Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç u shpreh se nga Podgorica u dërgua një mesazh i bukur, ai i bashkëpunimit për të ardhmen e përbashkët që do të bazohet në zhvillimin ekonomik.
“Sot dërguam një mesazh të bukur, mesazhin e bashkëpunimit dhe ndërtimit të së ardhmes së përbashkët, të bashkëpunimit ekonomik. Do të jetë bashkëpunimi më i fuqishëm në të gjitha segmentet kur flasim për dy qeveritë”, tha ai.
Abazoviç veçoi projektin për ndërtimin e urës mbi Bunë si më të rëndësishmin që do të zhvillohet mes dy vendeve.
“Kryeministri Rama ndërmori disa hapa për të mundësuar lëvizjen e papenguar mbi lumin Buna. Pas Luftës së Dytë Botërore ndaloi kjo linjë lundrimi mes Ulqinit dhe Shkodrës. Ne duam që të rivendosim këtë linjë mes Malit të Zi dhe Shqipërisë pas 70-80 viteve”, deklaroi Abazoviç.
Sipas tij, ndërtimi i kësaj ure do të shërbejë edhe për zhvillimin e turizmit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Jam krenar që kemi nënshkruar marrëveshjen për urën e Bunës”, që jo vetëm do lidhë dy shtetet po edhe do zhvillojë turizmin. Synimi ynë është që njerëzit të kenë akses më të lehtë dhe minimizim të trafikut si dhe perspektiva e zhvillimit të zonës”, tha ai.
Abazoviç shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për rritje të bashkëpunimit në çdo fushë.
“Ne dëshirojmë të bëjmë çdo gjë në çdo segment edhe shëndetësi, mbrojtje, bujqësi, duam thjesht të themi se Mali i Zi dhe Shqipëria e shohin perspektivën e madhe në bashkëpunimin dhe raportet e ndërsjella mes dy vendeve. Jemi të dedikuar drejt të ardhmes në integrimin europian, të ardhmen e përbashkët e shohin në BE dhe duam të japim kontribut që këtu të japim këtë mesazh”, tha ai.
Mes dy qeverive u nënshkruan edhe disa marrëveshje e memorandume në fushat e: energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.