SHBA miraton marrëveshjen 1.96 miliardë dollarëshe për a*më me Arabinë Saudite, forcohet bashkëpunimi ushtarak

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një marrëveshje të mundshme për shitjen e sistemeve të armëve me precizion të avancuar për Arabinë Saudite, në një paketë me vlerë rreth 1.96 miliardë dollarë.
Departamenti i Shtetit bëri të ditur se marrëveshja synon të forcojë sigurinë e Arabisë Saudite, e cilësuar nga Uashingtoni si një aleat i rëndësishëm jashtë NATO-s dhe një faktor stabiliteti në rajonin e Gjirit.
Sipas njoftimit zyrtar, pajisjet e reja ushtarake do të ndihmojnë Arabinë Saudite në përballimin e kërcënimeve aktuale dhe të ardhshme, duke përmirësuar mbrojtjen e territorit dhe bashkëpunimin me forcat amerikane, ato rajonale dhe partnerët e NATO-s.
Paketa përfshin sisteme që do të rrisin kapacitetet e aviacionit ushtarak saudit, duke përmirësuar aftësitë e mbrojtjes ajrore dhe operacionet ajër-tokë.
Kontraktori kryesor i marrëveshjes do të jetë kompania amerikane BAE Systems, ndërsa në Arabinë Saudite pritet të dërgohen përfaqësues të qeverisë amerikane dhe specialistë të kompanive kontraktuese për një periudhë të zgjatur.
Ekipet amerikane do të ofrojnë mbështetje teknike, trajnime dhe asistencë për mirëmbajtjen e sistemeve të reja ushtarake në terren.


