Si u pastruan paratë e call-center-ave të Milton Group me KFC Albania dhe ku përfunduan paratë e shitjes te Fatmir Zymberi?

Si u pastruan paratë e call-center-ave të Milton Group me KFC Albania

Grupi Milton me Amant Josifin dhe punonjësit e tij zhvatën rreth 200 milionë euro nga qytetarët europianë, i pastruan përmes rrjetit KFC dhe më pas i shitën aksionet te biznesmeni Fatmir Zymberi, duke i "lënë targën" Drejtësisë së Posaçme
Rrjeti fast-food KFC ALBANIA me 13 restorante, xhiro 1.44 miliardë lekë dhe fitim mbi 141 milionë lekë, ndërron pronësi në tetor 2025 sikur të ishte një tezgë perimesh në Tiranë, pa asnjë pyetje për çmimin, pa asnjë kontroll mbi mënyrën e pagesës dhe pa asnjë hetim se ku përfunduan paratë e shitjes.

Ndërsa SPAK-u, që ka për detyrë të ndjekë gjurmët e kapitalit kriminal, nuk ka hapur asnjë dosje për këtë transaksion, nuk ka thirrur në pyetje as blerësin e as shitësin dhe nuk ka kërkuar asnjë informacion nga juridiksionet offshore ku TP Investment Limited është regjistruar, duke lënë në hije pyetjen kryesore: ku shkuan paratë e pista të zhvatura nga qytetarët europianë përmes call-center-ave të Milton Group në Tiranë?

Blerësi është KAN shpk e Fatmir Zymberit, një grup kosovar që ka ndërtuar Prishtina Mall dhe që tani zgjeron duart mbi tregun shqiptar, por shitësi është TP Investment Limited. Një kompani offshore e regjistruar në Ras Al Khaimah të Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila nga ana e saj e kishte marrë këtë biznes vetëm një vit më parë, në korrik 2024, nga Tiandzi Limited, e cila e kishte marrë nga Global Fast Food Holding, e cila e kishte marrë nga DADU shpk e Alban Alikonit, mashtruesit të skemës së karburanteve GULF.

Pra një zinxhir pronësish që duket më shumë si një lojë fshehjeje sesa një investim i zakonshëm dhe që kaloi pa u hetuar nga asnjë institucion shqiptar, por ajo që ndodhi në tetor 2025 është edhe më e rëndë sepse aty paratë e pista dolën nga Shqipëria përmes një shitjeje që askush nuk e ka parë.

Pyetja që ndodhet në tryezë të SPAK-ut, nëse ata ulen dot në tryezë, është tejet e thjeshtë dhe për këtë arsye shumë e pakëndshme: në cilën llogari bankare përfunduan paratë e shitjes së KFC-së, sepse paratë që TP Investment mori nga Zymberi nuk janë para të zakonshme, ato janë të njëjtat para që qytetarët gjermanë dhe europianë humbën në platformat false të investimit të Milton Group.

Ato janë paratë që kaluan nëpër call-center-at e Amant Josifit në Tiranë dhe që u pastruan përmes xhiros ditore të KFC-së dhe tani, pas shitjes, ato kanë përfunduar diku, në një llogari, në një bankë, në një juridiksion, dhe SPAK-u nuk e di se ku, ose nuk do ta dijë, sepse nuk ka hetuar.

Aktakuza e Prokurorisë së Përgjithshme të Bambergut dhe Zyrës Qendrore për Krimin Kibernetik të Bavarisë ndaj Mikheil B., e ngritur për një dëm financiar që arrin në të paktën 230 milionë euro vetëm në vendet gjermanishtfolëse, e ka përshkruar Shqipërinë si një bazë operative e një industrie kriminale të mirëorganizuar, ku call-center-at mashtruese të lidhura me Milton Group punonin me qindra operatorë dhe në qendër të kësaj arkitekture qëndronte Amant Josifi, i shpallur sot në kërkim ndërkombëtar dhe i strehuar në Dubai.

Por paratë e mashtrimit nuk u arratisën me Josifin, ato qëndruan në Shqipëri dhe u futën në KFC, u pastruan përmes arkave të saj dhe më pas, në tetor 2025, dolën nga Shqipëria përmes një shitjeje që SPAK-u nuk e ka hetuar.

Global Fast Food Albania, operatori i KFC dhe Pizza Hut në Shqipëri, u krijua në vitin 2015 nga DADU shpk e Alban Alikonit, mashtruesi i skemës së karburanteve GULF, dhe që nga ai moment ky biznes nisi një qarkullim pronësie që nuk i shkon mendja njeriut të shëndoshë se si ka mundur të kalojë pa u hetuar. Duke kaluar te Global Fast Food Holding Limited, më pas te Tiandzi Limited, dhe në korrik 2024 te TP Investment Limited, e regjistruar në Ras Al Khaimah, një juridiksion që ofron privatësi të plotë dhe fshehje të pronësisë, ndërsa pas kësaj kompanie qëndron Lela Gelkhvidze, shtetase gjeorgjiane që figuron si aksionare formale, por administratorët nominalë gjeorgjianë janë valuta e përditshme e pastrimit të parave.

Pranë saj shfaqet Revaz Saakadze, ideator i skemave mashtruese me forex në Europë dhe ortak i Amant Josifit, i cili figuron gjithashtu ortak me Aleksandër Josifin, babanë e Amantit, në kompaninë e ndërtimit Balkan Investment Group, e dyshuar për pastrim parash.

Të gjithë këta individë janë lidhur me njëri-tjetrin përmes kompanish guaskë, offshore-esh dhe biznesesh në Shqipëri, ndërsa paratë e tyre të pista kanë kaluar nëpër KFC dhe më pas kanë dalë jashtë.

Kur KAN shpk e Fatmir Zymberit bleu rrjetin KFC, paratë e shitjes shkuan te TP Investment Limited, por pyetja është: ku shkuan më pas ato para, sepse TP Investment është vetëm një guaskë, një strukturë e krijuar për të marrë para dhe për t'i ridrejtuar ato diku tjetër.

Diku tjetër mund të jetë një llogari bankare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ose në Ishujt e Virgjër Britanikë, ose në ndonjë jurisdiksion tjetër ku paratë zhduken nga gjurmimi, dhe SPAK-u, nëse do të hetonte, do të kërkonte nga institucionet të dhënat për këtë transfertë. Do të kërkonte bashkëpunim nga Ras Al Khaimah për të identifikuar pronarin përfitues të TP Investment dhe do të kërkonte të shihte llogaritë ku përfunduan miliona eurot e shitjes, por SPAK-u nuk e ka bërë asnjë nga këto, dhe pyetja që mbetet pa përgjigje është: a do ta bëjë ndonjëherë?

Aktakuza gjermane ka vërtetuar se call-center-at ekzistonin dhe mashtronin, ka dokumentuar dëmin prej 230 milionë eurosh dhe ka emërtuar Amant Josifin si koordinator, por aktakuza gjermane nuk mund të hetojë se ku shkuan paratë e shitjes së KFC-së, sepse kjo është punë e SPAK-ut, dhe SPAK-u deri më tani nuk ka bërë asgjë.

SPAK nuk ka kërkuar informacion dhe nuk ka konfiskuar asnjë llogari të lidhur me këtë transaksion, duke lënë të hapur rrugën për një skemë të tërë pastrimi parash që fillon te call-center-at në Tiranë, kalon nëpër KFC, del përmes një shitjeje offshore dhe përfundon diku jashtë Shqipërisë, pa asnjë pengesë, pa asnjë alarm dhe pa asnjë ndjekje penale.

Pra, pyetja është e thjeshtë: në cilën llogari përfunduan paratë e shitjes së KFC-së?

Kush është pronari përfitues dhe pse institucionet ligjzbatuese nuk e kanë kërkuar këtë informacion?

Nëse paratë e pista mund të dalin nga Shqipëria pa u hetuar, atëherë pastrimi i parave në këtë vend nuk është një krim, por një industri, dhe SPAK-u nuk është duke luftuar këtë industri, por duke e lënë të funksionojë, duke mbyllur sytë para transaksioneve miliona euroshe dhe duke i dhënë kështu një mesazh të qartë çdo strukture kriminale që dëshiron të lajë para në Shqipëri: këtu mund të vini, këtu mund të pastroni dhe këtu mund të dilni pa u pyetur. /Pamfleti

Shënim: Ky material nuk është prodhim editorial i "Oranews.tv", por është ripublikuar nga "Pamfleti" për qëllim informimin e publikut mbi një çështje të pretenduar me interes publik. Përmbajtja e tij, përfshirë çdo pretendim, deklaratë, akuzë dhe opinion i atribuohet "Pamfletit". "Oranews.tv" mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim ose përgënjeshtrim nga personat, apo subjektet e përmendura në material, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

EMISIONET