Vuçiç distancohet nga deklarata e ministris për “spastrimin etnik” të Kosovës: Ishte e papërgjegjshme, politika jonë është dialogu

Vuçiç distancohet nga deklarata e ministris për

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është distancuar nga deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, lidhur me Kosovën, duke thënë se ajo nuk përfaqëson qëndrimin e tij dhe as politikën e Qeverisë serbe.

Vuçiq e cilësoi deklaratën e ministres si të pamenduar dhe të papërgjegjshme, duke u shprehur se politika zyrtare e Serbisë është e orientuar drejt dialogut.

Reagimi i presidentit serb erdhi pas intervistës së Paunoviq për televizionin serb “Kurir”, ku ajo foli për luftën në Kosovë dhe tha se, nëse do të kishte qenë në vendin e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do të kishte vepruar ndryshe lidhur me shqiptarët e Kosovës.

Deklarata e saj shkaktoi reagime të shumta, ndërsa autoritetet e Kosovës vendosën ta shpallin Paunoviqin person të padëshiruar, duke i ndaluar hyrjen dhe kalimin transit në territorin e Kosovës.

Nga Qeveria në detyrë e Kosovës kanë ngritur shqetësime për mungesën e një distancimi të plotë të Serbisë nga politikat e periudhës së Millosheviqit, duke e lidhur këtë me qëndrimet e disa zyrtarëve serbë.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, mijëra persona u vranë dhe u zhdukën, ndërsa udhëheqës të atëhershëm politikë dhe ushtarakë të Republikës Federale të Jugosllavisë u dënuan nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe dëbimin e civilëve shqiptarë.

Sipas të dhënave të publikuara, mbi 1.500 persona të zhdukur nga lufta në Kosovë ende nuk janë gjetur.

EMISIONET