Përmbyllet viti i parë i mandatit/ Rama mbledh sot Grupin Parlamentar të PS, ja çfarë diskutimesh do zhvillohen sipas agjendës

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në Pallatin e Brigadave Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, në një takim ku pritet të analizohet puna e vitit të parë të mandatit të katërt qeverisës dhe të përcaktohen objektivat për muajt në vijim.
Mbledhja zhvillohet në një moment të ngarkuar politik, teksa vendi po përjeton prej 55 ditësh protesta të vazhdueshme të opozitës, e cila kërkon largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Sipas agjendës së siguruar, punimet do të nisin në orën 09:30 me hapjen e mbledhjes.
Më pas, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, do të paraqesë bilancin e drejtimit të Kuvendit, duke u ndalur te futja e teknologjisë në punën parlamentare dhe perspektiva e godinës së re të Kuvendit.
Në vijim, ministri Taulant Balla do të prezantojë bilancin e drejtimit të grupit, me fokus funksionimin e kryesive të komisioneve parlamentare, si edhe angazhimin e deputetëve, si në aktivitetin institucional, ashtu edhe në komunikimin publik dhe atë online.
Sipas rendit të ditës, çdo diskutues do të ketë në dispozicion jo më shumë se dy minuta për të marrë fjalën, ndërsa mbledhja do të mbyllet me fjalën e kryeministrit Edi Rama, e cila është parashikuar si fjala përmbyllëse e vitit të parë të mandatit të katërt.
Takimi i sotëm ka ngjallur interes të veçantë edhe për shkak të pritshmërive për mesazhet që pritet të japë kreu i qeverisë, në një kohë kur vendi po përballet me një klimë të tensionuar politike dhe protesta të përditshme të opozitës.
Vetë Rama paralajmëroi një ditë më parë se në këtë mbledhje do të ndajë me deputetët dhe ministrat reflektimin e tij. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, kryeministri u shpreh:
“Përshëndetje. Nuk e di a e dëgjoni, kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar fjalën për nesër, në mbledhjen e grupit parlamentar edhe të qeverisë. Dhe desha të ndaj me ju këtë moment sepse kjo orë më jep një, do të thoja që më… ekzalton. Shihemi nesër në paradite, nuk e di orën e saktë, mbledhja fillon në 9 e gjysmë, por do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove. Ai që ishte, se ky që ka mbetur është i sorrave dhe i korbave”.



