Padia qesharake e Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado/ Sot, gjyqi në Gjykatën Administrative
Sot në orën 09:00 do të zhvillohet seanca e radhës në Gjykatën Administrative për padinë qesharake të Erion Veliajt, kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës me 13 akuza për 5 vepra të rënda penale, kundër prokurorit të SPAK, Ols Dado.
Kryebashkiaku i Tiranës, i akuzuar për 5 vepra të rënda penale, Erion Veliaj, me anë të një padie qesharake kërkon pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados si prokuror.
Që prej arrestimit të tij në shkurt të vitit 2025, Veliaj ka zhvilluar një fushatë sulmesh ndaj SPAK, prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarëve.
Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës ka përdorur të gjitha skemat, skenarët dhe mjetet për të sulmuar prokurorin, duke nisur nga shkrimet në mediat e paguara prej tij , e deri te lobimi për raportet e mbushura me gënjeshtra të zbardhura njëra pas tjetrës, ku thuhej se prokurori Ols Dado është zhvillues pronash dhe është anëtar aktiv i PD-së.
Prej 341 ditësh, kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës Erion Veliaj nuk ka nxjerrë asnjë dokument për kërkesën ku pretendon se prokurori ka kërkuar shtesë mbi lejen e ndërtimit.
Sa i përket akuzës tjetër se ai është anëtar aktiv i PD, kjo është një tjetër gënjeshtër e madhe, pasi kreu i PD është nën hetim nga SPAK dhe me masë sigurie.
Sot Erion Veliaj pritet të bëjë shfaqjen e radhës në Gjykatën Administrative ku edhe pse padinë e ka bërë vetë vijon të përdorë skema për zvarritjen e proceseve gjyqësore ashtu siç bën dhe në GJKKO, vetëm me ndryshimin se atje nuk shkon se ka frikë të përballet me akuzat, provat dhe faktet që janë gjetur ndaj tij për korrupsion, për pastrim të produkteve të veprës penale, për shpërdorim detyre, për fshehje pasurie dhe për futjen e sendeve të ndaluara në qeli./ CNA


