“Fshatrat po braktisen"/ Himçi kundërshton bashkimet e reja territoriale: Po zhduken identitetet lokale

Në një lidhje direkte për Ora News, deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, ka folur për debatin mbi reformën territoriale dhe ndryshimet e mundshme në ndarjen administrative të vendit.

Himçi ka ngritur shqetësimin se reforma territoriale e vitit 2015 ka sjellë largimin e shërbimeve nga banorët e zonave rurale dhe ka ndikuar në braktisjen e fshatrave.

Sipas tij, përqendrimi i investimeve dhe shërbimeve në qendrat e bashkive ka bërë që shumë banorë të largohen drejt qyteteve të mëdha ose jashtë vendit.

“Vëmendjet e bashkive nuk janë më në zonat rurale, por vetëm në qendrat e qyteteve. Investimet më të mëdha i marrin qendrat dhe lihen në harresë zonat rurale. Kur qytetarët nuk marrin shërbimet e duhura, si rrugët, ndriçimin, pastrimin apo shërbimet e tjera, ata kërkojnë të largohen nga vendi i tyre.”-u shpreh Himçi.

Deputeti demokrat ka sjellë si shembull edhe largimin e disa shërbimeve administrative nga njësitë rurale, duke përmendur gjendjen civile, e cila sipas tij është përqendruar në qendrat e qyteteve.

Himçi ka kundërshtuar edhe bashkimet e mundshme mes disa bashkive, duke argumentuar se zona të ndryshme kanë histori, tradita dhe identitete të veçanta.

Ai përmendi rastin e Librazhdit dhe Prrenjasit, si dhe atë të Belshit dhe Cërrikut, duke thënë se këto zona kanë dallime kulturore dhe gjeografike.

“Librazhdi dhe Prrenjasi kanë dy kultura dhe identitete të ndryshme. Po ashtu Belëshi dhe Cërriku janë dy entitete të ndryshme, me tradita dhe zona gjeografike të veçanta. Nuk mund të bëhen bashkime mekanike pa marrë parasysh historinë dhe kulturën e këtyre komuniteteve.”-theksoi ai.

Sipas Himçit, një tjetër problem lidhet me përqendrimin e pushtetit lokal, duke pretenduar se ulja e numrit të bashkive mund të ndikojë në kontrollin politik të tyre.

 

EMISIONET