Lëndimi i efektivit në protestë/ Reagon Balla: Apel ulëritës për çdo shqiptar

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar për lëndimin e efektivit në protestën e sotme përpara Parlamentit.
Balla, me anë të një posti në rrjetet sociale, shkruan se dhuna ndaj policisë është apel ulëritës për çdo shqiptar që të distancohet nga dhuna.
Socialisti shkruan se kush ngre dorën ndaj policisë ka ngritur dorë ndaj shtetit.

“Ky punonjës policie i gjakosur nga gurët dhe dhuna e këtyre mbetjeve sociale dhe politike është apeli ulëritës për çdo shqiptar t’i dënojë dhe distancohet nga dhuna. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë në marrëdhënien, sjelljen dhe respektin ndaj punonjësve të policisë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj”, shkruan Balla.

