DEPUTETËT LARGOHEN, KAOS TE KUVENDI! Policia, gr*shte, shk*lma, ujë e spray me piper ndaj protestuesve, shkatërrohen mjetet e policisë
Tensione të reja janë regjistruar para godinës së Kuvendit, ku protestuesit janë ulur këmbëkryq në hyrje të Parlamentit, në përpjekje për të bllokuar daljen e deputetëve pas përfundimit të seancës plenare.
Pas kësaj lëvizjeje, Policia ndërhyri për të larguar protestuesit nga perimetri i sigurisë, duke përdorur sprej lotsjellës.
Gjatë ndërhyrjes, një person u shoqërua nga efektivët, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura zyrtarisht arsyet e shoqërimit.
Kjo ka bërë të mundur që ministrat dhe deputetët të largohen me automjetet e tyre, pasi deri në këtë moment ishin të bllokuar nga protestuesit që i qëllonin me vezë.
Në vijim të përplasjes, një pjesë e protestuesve hodhën sende në drejtim të forcave të Policisë, ndërsa efektivët vijuan përdorimin e sprejit lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Situata në zonën përreth Parlamentit mbetet e tensionuar, ndërsa në terren janë të pranishme forca të shumta policore.
PROTESTA
Jashtë mjediseve të Kuvendit, ndërsa deputetët hynin për nisjen e seancës plenare u shënuan përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Disa protestues të grumbulluar në pjesën ku hyjnë deputetët, kanë hedhur miell dhe vezë në drejtim të makinave të tyre ndërsa ata hynin në Parlament.
Pas incidentit, policia ka ndërhyrë duke shoqëruar disa protestues.
Protesta ka vijuar, ndërsa deputetët e opozitës janë shoqëruar me thirrjet “opozitë e shitur”, “nuk na përfaqësoni”.
Ngjarja ka ndodhur ndërsa Kuvendi pritet të zhvillojë seancë plenare nën masa të forta sigurie.
Në zonë janë vendosur qindra efektivë policie, barriera metalike dhe mjete të tjera në gatishmëri për të garantuar rendin.
Masat u morën pasi gjatë protestës së djeshme u paralajmërua tubimi i sotëm para Kuvendit me thirrjen për të marrë vezë e miell me vete.


