Inteligjenca Artificiale, pa kontroll në Ballkan! Mungon kuadri ligjor në institucionet shtetërore

Inteligjenca Artificiale, pa kontroll në Ballkan! Mungon kuadri ligjor

Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka ende një ligj të plotë që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale (IA), duke lënë hapësirë të gjerë për përdorim të pakontrolluar të këtyre mjeteve në administratën publike dhe institucione shtetërore.

Sipas një hulumtimi rajonal, institucionet në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi dhe Serbi ndodhen në faza të ndryshme të përdorimit të IA-së, por shumica e tyre nuk kanë rregulla të qarta për mënyrën se si nëpunësit publikë mund të përdorin mjete si ChatGPT, GitHub Copilot apo Google Gemini gjatë punës.

Raporti tregon se disa institucione pranojnë se punonjësit përdorin inteligjencën artificiale për përkthime, hartim dokumentesh, korrigjim tekstesh dhe analiza të të dhënave, ndërsa të tjera deklarojnë se një praktikë e tillë nuk ekziston.

Megjithatë, pothuajse të gjitha institucionet e përfshira theksojnë mungesën e një kuadri ligjor dhe rreziqet që lidhen me sigurinë e të dhënave personale, pasi në disa raste nuk ka as masa teknike për të parandaluar futjen e dokumenteve zyrtare në platformat e IA-së.

Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i pakontrolluar i këtyre mjeteve mund të sjellë rrjedhje të informacionit dhe keqpërdorim të të dhënave, ndërsa përgjegjësia për çdo shkelje bie mbi vetë përdoruesin.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin e Aktit për Inteligjencën Artificiale, i cili vendos rregulla të rrepta për sigurinë, transparencën dhe mbikëqyrjen e sistemeve të IA-së. Vendet e rajonit mbeten ende në fazë hartimi dhe përafrimi të legjislacionit me standardet europiane.

EMISIONET