Kaso: Drejtorët e Ramës dhe administrata po shkaktojnë probleme në qendrat zgjedhore. Policia jashtë funksionit

Një denoncim për presione e intimidime ka ardhur nga ana e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Ivi Kaso, përfaqësuesit për çështjet ligjore dhe zgjedhjet deklaroi sot se numri 112 ku qytetarët duhet të denoncojnë për shkelje të ndryshme është jashtë funksionimit.

Ai theksoi se urdhri i KQZ gjithashtu përcakton qartë se persona të paautorizuar duhet të mbajnë një distancë nga objektet zgjedhore prej të paktën 150 m, por është evidentuar mosrespektim i kësaj distance, madje prani flagrante në qendrat e votimit të patronazhistëve, të drejtorëve të administratës dhe të personave të tjerë të paautorizuar gjatë gjithë paradites në bashki.

DEKLARATA E PLOTË

Vëzhguesit tanë dhe raportuesit nga terreni kanë njoftuar për një seri problematikash në qendrat zgjedhore, shkaktuar nga drejtorë bashkish, funksionarë të administratës dhe implikime të policisë, me veprime apo mosveprime.

Sipas Pikës 7 të Urdhrit të KQ të Zgjedhjeve, kushdo që konstaton shkelje ka të drejtë të njoftojë, krahas strukturave zgjedhore edhe Policinë e Shtetit. Njoftimi duhet bërë me shkrim ose te numri i Emergjencës 112.
Policia është e detyruar të verifikojë informacionin dhe në rast të konstatimit të një shkeljeje duhet të veprojë.

Dhe këtu qytetarët që kanë dashur të raportojnë shkelje, kanë hasur në vështirësinë e parë. Numri 112 i Policisë është jashtë funksionimit. Nuk e dimë nëse ky është defekt teknik, paaftësi apo është bërë në mënyrë të qëllimshme, por i bëjmë thirrje policisë të kthehet në krye të detyrës dhe të respektojë ligjin.

Urdhri i KQZ gjithashtu përcakton qartë se persona të paautorizuar duhet të mbajnë një distancë nga objektet zgjedhore prej të paktën 150 m.

Mosrespektim të kësaj distance, madje prani flagrante në qendrat e votimit të patronazhistëve, të drejtorëve të administratës dhe të personave të tjerë të paautorizuar janë raportuar sot gjatë gjithë paradites në bashki në të gjithë territorin:

Disa prej problematikave te hasura në procesin e votimit deri me tani vijojnë si më poshtë:

Raste arbitare të ndërhyrjes në procesin e votimit janë regjistruar sidomos në Durrës. Drejtori bashkiak Roni Shqopa, Davide Ndoj, kryetare e njësisë adminstrative Spitallë, Flamur Gjuzi drejtor i Sigurimeve Shëndetësore, dhe Artur Feto i OSHEE janë parë në qendrat e votimit në qytet dhe rrethina.

I bëjmë thirrje policisë të kthehet në krye të detyrës, të njoftojë KZAZ per shkeljet dhe ne përfundim te hartojë proçesverbalin për shkeljen përkatëse.

Të gjitha këto ndërhyrje hileqare në proces nga administrata dhe drejtorët e bashkive të Ramës nuk janë gjë tjetër vecse përpjekje për te tensionuar situatën dhe për tu munduar t’i bëjnë parapritë humbjes së së sigurt.

Koaliconi “BashkëFitojmë” ka vetëm një thirrje për qytetarët shqiptarë: dilni dhe shprehni vullnetin tuaj të lirë. Asgjë nuk e ndal valën e madhe të fitores dhe ndryshimit. Bashkë fitojmë!

EMISIONET