Irani paralajmëron Bullgarinë: Mos lejoni përdorimin e territorit tuaj nga SHBA për sulme ndaj Teheranit

Irani paralajmëron Bullgarinë: Mos lejoni përdorimin e territorit

Irani i ka kërkuar Bullgarisë të mos lejojë përdorimin e territorit të saj për operacione ushtarake amerikane kundër Teheranit, duke rritur tensionet mes dy vendeve në një kohë kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit janë përkeqësuar.

Reagimi i Teheranit vjen pasi Bullgaria po shqyrton mundësinë e vendosjes së deri në tetë avionëve amerikanë të furnizimit me karburant KC-135 në bazën ajrore Bezmer.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, ka paralajmëruar se çdo vend që ndihmon operacionet amerikane kundër Iranit do të konsiderohet pjesë e “agresionit dhe krimeve të luftës”.

“Bullgaria nuk duhet të bëhet bashkëpunëtore e agresorëve dhe shkelësve të ligjit”, ka thënë Baghai, sipas mediave shtetërore iraniane.

Debat në Bullgari për sigurinë
Çështja ka hapur diskutime edhe në politikën bullgare. Deputetë të koalicionit konservator “Bullgaria Demokratike” kanë kërkuar që, nëse avionët amerikanë vendosen në territorin bullgar, të forcohet mbrojtja ajrore e vendit.

Ata kanë propozuar që Bullgaria të mbështetet te sistemet greke të mbrojtjes ajrore Patriot, duke kujtuar se më herët Greqia kishte vendosur një bateri Patriot dhe avionë F-16 në veri të vendit për të kontribuar në mbrojtjen e hapësirës ajrore bullgare.

Bashkëkryetari i partisë “Po, Bullgaria”, Ivailo Mirchev, ka kërkuar që qeveria të informojë parlamentin mbi analizën e rrezikut dhe arsyet strategjike të vendosjes së avionëve amerikanë në bazën Bezmer.

“Shtetet e Bashkuara janë një partner strategjik shumë i rëndësishëm për Bullgarinë, por për çështjet që lidhen me Iranin dhe Lindjen e Mesme duhet të ndiqet një qëndrim i koordinuar europian”, është shprehur Mirchev.

Ndërkohë, bashkëkryetari tjetër i kësaj force politike, Bozhidar Bozanov, ka kërkuar më shumë informacion mbi planet e mbrojtjes, vlerësimin e rrezikut dhe të dhënat e shkëmbyera me partnerët amerikanë.

Vendosja e mundshme e avionëve amerikanë në Bullgari po diskutohet në një periudhë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur, duke shtuar shqetësimet se vendet aleate të NATO-s në rajon mund të përfshihen në mënyrë indirekte në krizën e Lindjes së Mesme.

EMISIONET