EMRI/ Po riparonte linjat elektrike pas motit të keq, punonjësi 55-vjeçar i OSHEE-së humb jetën në Himarë gjatë ndërhyrjes në terren
Një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit në Himarë, ndërsa ishte duke punuar për riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në momentin kur ekipet teknike ishin në terren për të rikthyer furnizimin me energji elektrike në zonat e prekura nga erërat e forta dhe stuhia.
Viktima është një 55-vjeçar me origjinë nga Elbasani, i cili ishte dërguar në Himarë për të mbështetur ekipet lokale në ndërhyrjet për riparimin e rrjetit elektrik.
Gjatë punës, ai ka pësuar një incident fatal. Dyshimet paraprake janë se punonjësi mund të ketë rënë në kontakt me energjinë elektrike, por rrethanat e sakta të ngjarjes do të përcaktohen pas ekspertizës teknike dhe hetimeve.
Në vendngjarje kanë mbërritur grupet hetimore, të cilat kanë nisur verifikimin e kushteve të punës dhe mënyrës se si ndodhi aksidenti.
Moti i keq që përfshiu Himarën dhe zona të tjera bregdetare gjatë ditës së djeshme shkaktoi dëme materiale dhe probleme në rrjetin elektrik, duke sjellë ndërhyrje të ekipeve të OSHEE-së për rikthimin e energjisë.


