Franca miraton ndalimin e rrjeteve sociale për nën 15 vjeç, ja kur nis zbatimi i ligjit

Franca ka miratuar një ligj të ri që kufizon përdorimin e mediave sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke u bërë vendi i parë europian që vendos një ndalim të tillë. Masa pritet të hyjë plotësisht në fuqi në janar të vitit 2027 dhe synon të rrisë mbrojtjen e të miturve në internet.
Ligji i miratuar nga Parlamenti francez parashikon që përdoruesit e rrjeteve sociale duhet të verifikojnë moshën e tyre përpara se të krijojnë ose të mbajnë një llogari në platformat online.
Zbatimi do të kryhet në dy faza. Nga shtatori, personat nën 15 vjeç nuk do të mund të hapin llogari të reja në rrjetet sociale, ndërsa procesi i verifikimit të moshës do të kërkohet për përdoruesit e rinj.
Nga janari i vitit 2027, rregulli do të shtrihet edhe për llogaritë ekzistuese. Kjo do të thotë se të gjithë përdoruesit në Francë do të duhet të provojnë se janë mbi 15 vjeç për të vijuar përdorimin e platformave sociale.
Vendimi vjen pas shqetësimeve të rritura në Europë për ndikimin e rrjeteve sociale te shëndeti mendor i fëmijëve, përfshirë varësinë nga platformat online, ekspozimin ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme dhe presionin psikologjik te të rinjtë.
Presidenti francez Emmanuel Macron e ka mbështetur këtë nismë, e cila ishte pjesë e angazhimeve të tij politike për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën digjitale.
Megjithatë, ligji ka hasur edhe kritika nga disa përfaqësues politikë dhe ekspertë, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e zbatimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale gjatë procesit të verifikimit të moshës.
Sipas ligjit të ri, platformat sociale do të duhet të përdorin sisteme të verifikimit të moshës të miratuara nga autoriteti francez për mbrojtjen e privatësisë, përpara se kufizimet të hyjnë në fuqi.


