LUSHNJË/ Makina merr flakë pranë nënstacionit elektrik, automjeti mes banesave shkrumbohet plotësisht

Një automjet është përfshirë nga flakët në lagjen “Çlirimi” të qytetit të Lushnjës, pranë murit rrethues të nënstacionit elektrik, duke krijuar rrezik për përhapjen e zjarrit në një zonë me banesa pranë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e fundit, ndërsa flakët kanë përfshirë kabinën e automjetit, i cili është shkrumbuar plotësisht.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për të vënë nën kontroll situatën.
Reagimi i shpejtë ka shmangur përhapjen e zjarrit drejt nënstacionit elektrik dhe banesave përreth.
Pas shuarjes së flakëve, grupet hetimore kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet që çuan në djegien e automjetit.
Ekspertët e policisë shkencore, në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës, po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


