Çfarë po ndodh në hapësirë? Fizikanti Peqini shpjegon përplasjen e raketës që pritet të ndodhë në Hënë: Nuk është gabim amator
Një pjesë rakete që ndodhet në hapësirë pritet të përplaset me sipërfaqen e Hënës më 5 gusht, një ngjarje e rrallë që ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si një mjet i mbetur në orbitë mund të përfundojë në një trajektore drejt satelitit natyror të Tokës.
Për të shpjeguar këtë fenomen dhe çfarë fshihet pas kësaj përplasjeje, në një lidhje direkte për Ora News ishte fizikanti Klaudio Peqini, i cili sqaroi lëvizjen e raketës dhe ndikimin e forcave gravitacionale në hapësirë.
Sipas tij, përforcuesi i raketës duhej të ishte pajisur me karburant të mjaftueshëm për të kryer manovrat e kthimit pas përfundimit të misionit.
"Sipas protokollit zyrtar të misionit, booster-i do të duhej të ishte pajisur me një sasi karburanti që ta mundësonte të bënte manovrat e nevojshme. Pasi të lëshonte sondën në një orbitë shumë pranë Hënës, ai duhej të kryente manovrat kthyese dhe të përfundonte në atmosferën e Tokës, ku do të dizintegrohej. Por, sipas shpjegimit zyrtar, ai nuk është pajisur me sasinë e duhur të karburantit dhe për këtë arsye ka mbetur në orbita shumë të larta dhe energjetike, pranë Hënës."-theksoi ai.
Mungesa e manovrave të duhura ka bërë që raketa të mbetet nën ndikimin e forcave gravitacionale të Hënës dhe Diellit, duke ndryshuar gradualisht trajektoren e saj.
Fizikanti shpjegoi se në distanca të tilla nga Toka, ndikimi gravitacional i trupave qiellorë bëhet shumë më i rëndësishëm dhe mund të ndryshojë lëvizjen e objekteve në hapësirë.
"Kjo mund të ndodhë sepse në ato lartësi, në ato orbita të largëta nga Toka, ndikimi i forcës gravitacionale të Hënës bëhet shumë i ndjeshëm. Edhe ndikimi i forcës gravitacionale të Diellit është i rëndësishëm. Nuk duhet ta shohim si një gabim amatoresk, sepse në këto nivele nuk flitet për gabime të tilla."-shtoi Klaudio Peqini.
Megjithatë, Peqini sqaroi se përplasja nuk duhet interpretuar si një goditje e planifikuar ndaj Hënës. Sipas tij, bëhet fjalë për një pasojë të paparashikuar të një situate të krijuar në hapësirë, por jo për një ngjarje tërësisht të papritur.
"Nuk është përplasje e planifikuar, sepse goditja e Hënës nuk ka qenë pjesë zyrtare e misionit. Në një farë mënyre është një pasojë e paparashikuar, por jo e papritur, sepse trajektorja dhe ndikimi i forcave gravitacionale mund të llogariten."-tha fizikanti.
Përplasja e pritshme e raketës me sipërfaqen hënore pritet të ofrojë të dhëna të reja për mënyrën se si objektet e mbetura në hapësirë ndikohen nga forcat gravitacionale dhe lëvizjet komplekse në sistemin Tokë-Hënë.


