Sulmi ndaj TCh "ngre në këmbë" politikën, Begaj: Të zbardhet sa më shpejt. Meta: Kjo epokë e errët duhet të marrë fund tani
Për Presidentin e Republikës Bajram Begaj, sulmi me armë ndaj televizionit publik Top Channel, ku mbeti i vrarë roja i sigurisë, 60-vjeçari Pal Kola, është një ngjarje e cila duhet të zbardhet sa më shpejt.
“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola.
Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, shprehet Presidenti Bajram Begaj.
Edhe Kryeparlamentarja Lindita Nikolla dënoi sulmin me armë ndaj TV “Top Channel”
“Sulmi me armë ndaj TV kombëtar “Top Channel” dhe vrasja e një prej personelit të sigurisë është një ngjarje e rëndë që kërkon veprim të menjëhershëm e profesional nga agjencitë ligjzbatuese.
Solidaritet për TV “Top Channel” dhe ngushëllime familjes Kola. Të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje kriminale!”, thotë Lindita Nikolla.
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta shprehet se krimi mori një jetë të pafajshme, ndërsa thotë se kjo epokë e errët duhet të marrë fund sa më shpejt.
“Edhe sot krimi e mori një jetë. Një jetë të pafajshme, të një punëtori. Sot një roje televizioni, para pak ditësh një pastruese lokali. Viktimat e krimeve nuk janë të largët e të panjohur, ata janë njerëzit tanë, bashkëqytetarët tanë, shqiptarët tanë.
Bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë. Epoka e krimit duhet të marrë fund, që të vijë epoka e shqiptarëve. Dhe do të marrë fund, shumë shpejt!”, shprehet Ilir Meta.
Lideri i demokratëve Sali Berisha e cilëson një akt kriminal të shëmtuar.
"Sulmohet me armë zjarri Top Channel dhe ekzekutohet në kabinën e tij roja e objektit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së viktimës, miqve, të afërmve dhe kolektivit të Top Channel.
Denoncoj këtë akt kriminal, si dëshmi tjetër e dhimbshme e pasigurisë së plotë, që ekziston sot në vend nga vendosja e rendit nga regjimi në duart e krimit", shprehet Berisha.
Deputeti socialist Erion Braçe shprehet se sulmi me armë ndaj “Top Channel” është jo thjesht kriminal, por më i egri ndaj një mediaje në Shqipëri!
“Sulmi me armë ndaj “Top Channel” është jo thjesht kriminal, por më i egri ndaj një mediaje në Shqipëri! Duke patur të shenjuar në mendje, humbjen e tmerrshme dhe ende të pazbardhur të themeluesit të medias më të madhe në vend, sulmi i sotëm është edhe më i rëndë! Nuk është nje ngjarje banale, apo e lidhur me arsye banale e gjitha kjo!
Liria e “Top Channel” nuk është liria e një ndërmarrjeje private, por është liria e shprehjes e secilit në këtë vend! Ndaj, secili sot duhet të dijë autorët dhe qëllimin e tyre dhe përgjigjen duhet ta japë shteti; Ai është një ndër garantet e lirive tona! Mbështetje maksimale Policisë së Shtetit për të bërë detyrën deri në fund, zbulimin e vënien para përgjegjësisë së autorëve; tani, sa më parë!
Ngushëllime pa fund për humbjen e jetës së punonjësit në detyrë; ngushëllime familjes së tij! Solidaritet me Top Channel, çdo gazetar, çdo punonjës të tij! Patjetër që jeta juaj vjen e para, por liria është çështje e jona! Kurajo!”, shprehet deputeti Braçe.
Ndërsa deputeti demokrat Dashnor Sula thotë se siguria publike është në ditët më të errëta të saj.
“Shqipëria po jeton sot ditët më të errëta të sigurisë publike. Çdo ngjarje kriminale, çdo vrasje në vetëvete është ngjarje e rëndë. Por ajo që ka ndodhur gjatë mesnatës në televizjonin " Top Channel" është e tmerrëshme dhe ka rrëzuar shtetin.
E para breshëria e armës automatik drejt "Top Channel" i mori jetën një 60 vjeçari që qëndronte aty për të siguruar jetesën. E dyta, sulmi me armë zjarri ndaj një media kombëtare është një presion i pastër ndaj fjalës së lirë. Kjo ngjarje për nga rëndësia mund të barazohet sikur me kallash të sulmohej Ministria e Brendshme apo Drejtoria e Policisë.
Inkurajojë Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë të zbardhin sa më shpejtë ngjarjen dhe të japin dënimin maksimal për autorët e ngjarjes”, shprehet Sula në reagimin e tij.
Lidhur me kete ngjarje ka reaguar edhe deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj
"Sulmi me armë ndaj televizionit kombëtar, Top Channel dhe vrasja e rojës së sigurisë është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal të cilin e dënoj me forcë.
Ngushëllimet e mia për familjen e punonjësit të sigurisë Pal Kola, që humbi jetën në këtë ngjarje të rëndë.
Sulmi i mbrëmshëm është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por është dhe një sulm i rëndë ndaj sigurisë publike në vend.
Në emër të PD bëj thirrje organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë. Mbështetje dhe solidaritet për stafin e Top Channel", shprehet Alibeaj.
Për sulmin me armë ka reaguar edhe deputeti demokrat Lulzim Basha i cili ka kërkuar vënien e autorëve para drejtësisë.
"Dënoj me forcë sulmin me armë ndaj tv kombëtar Top Channel me pasojë vrasjen e rojes së sigurisë. Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët e të ndjerit Pal Koka dhe bëj thirrje për vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi të rëndë kundër jetës, sigurisë dhe medias."