SJELLJA PASIVE-AGRESIVE/ Shenjat që tregojnë kur dikush ju lëndon pa e thënë hapur

SJELLJA PASIVE-AGRESIVE/ Shenjat që tregojnë kur dikush ju lëndon

Jo çdo konflikt shfaqet përmes fjalëve të ashpra apo përballjeve të drejtpërdrejta. Në shumë raste, pakënaqësia dhe armiqësia shfaqen në mënyrë të fshehtë përmes sjelljeve pasivo-agresive, duke lënë tek tjetri një ndjesi të keqe pa e kuptuar menjëherë arsyen.

Kjo sjellje mund të shfaqet në marrëdhënie familjare, miqësi apo në ambientin e punës. Ajo karakterizohet nga mënyra indirekte e shprehjes së zemërimit, pakënaqësisë apo kundërshtimit, përmes heshtjes, fjalëve të maskuara, ftohtësisë apo shmangies së përgjegjësive.

Një nga shenjat më të zakonshme është injorimi i fshehtë. Një person pasivo-agresiv mund të sillet sikur nuk të vëren, të mos reagojë ndaj komenteve të tua ose të të anashkalojë në situata të caktuara, duke të lënë të dyshosh nëse është rastësi apo një veprim i qëllimshëm.

Një tjetër formë është përdorimi i komplimenteve që në të vërtetë fshehin kritika. Një fjali që duket pozitive mund të shoqërohet me një krahasim apo një koment që ul vlerën e personit tjetër.

Edhe një qëndrim i vazhdueshëm i ftohtë, negativ apo i zymtë mund të jetë pjesë e kësaj sjelljeje. Personi mund të reagojë me ironi, të ankohet shpesh ose të krijojë një atmosferë të tensionuar pa dhënë një arsye të qartë.

Në disa raste, kokëfortësia përdoret si mënyrë për të krijuar lodhje apo konflikt. Personi mund të mbrojë një ide jo sepse beson fort tek ajo, por sepse dëshiron të kundërshtojë ose të vështirësojë situatën.

Një tjetër tregues është shmangia e detyrave. Në ambientin e punës, një person pasivo-agresiv mund të marrë përsipër përgjegjësi dhe më pas t’i shtyjë ose të mos i përfundojë ato në kohë, duke ia kaluar barrën të tjerëve.

Përballja me një sjellje të tillë kërkon kujdes. Reagimi i menjëhershëm ndaj provokimeve shpesh mund ta përkeqësojë situatën. Një mënyrë më e mirë është të ruhet qetësia, të vendosen kufij të qartë dhe të mos i jepet rëndësi sjelljeve që synojnë të shkaktojnë reagim emocional.

Kur kjo sjellje përsëritet dhe ndikon në mirëqenien personale, mbajtja e një distance të shëndetshme mund të jetë zgjidhja më e mirë. Në marrëdhëniet profesionale, komunikimi mund të kufizohet vetëm te çështjet e nevojshme dhe konkrete.

Njohja e këtyre shenjave ndihmon për të kuptuar më mirë mënyrën se si njerëzit shprehin pakënaqësinë dhe për të shmangur ndikimin negativ të një sjelljeje që shpesh fshihet pas qetësisë së jashtme.

EMISIONET