(EMRAT) Preng Gjini sërish në shënjestër? Arrestohet 38-vjeçari, policia zbulon foton e tij dhe detonatorët në banesë. Zbulohet pista e një atentati me ekspl*ziv

Një ndalim i kryer në fshatin Stajkë të Vaut të Dejës ka ngritur dyshime për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale.
Një 38-vjeçar nga Durrësi është vënë nën pranga, pasi hetuesit dyshojnë se mund të ketë qenë i përfshirë në përgatitjen e një sulmi me eksploziv.
Gjatë kontrolleve, në telefonin e të arrestuarit Euglen Buraku është gjetur një fotografi e Preng Gjinit, personit që më herët ka qenë objekt i një atentati me eksploziv në Tiranë.
Sipas hetimeve paraprake, Gjini dyshohet se mund të ketë qenë sërish shënjestër e një sulmi të mundshëm, për shkak të konflikteve të hershme dhe dyshimeve për një motiv të lidhur me gjakmarrjen.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu për një person të dytë të përfshirë në këtë ngjarje.
Bëhet fjalë për Eduard Përgjokën, 34 vjeç, në banesën e të cilit në Rubik janë sekuestruar kapsolla detonatorë, 11 aparate celularë dhe fara kanabisi.
Materialet e sekuestruara dhe provat e mbledhura po analizohen nga grupi hetimor, ndërsa vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rolit të personave të dyshuar dhe qëllimit të mundshëm të sulmit.


