“50 ditë qëndresë”/ Këlliçi: Kryeministri nuk mund ta injorojë më zërin e qytetarëve

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar për 50-ditëshin e protestës së qytetarëve në Bulevardin e Tiranës, duke e cilësuar largimin e kryeministrit Edi Rama si kërkesën kryesore të kësaj lëvizjeje.
Në një postim në Facebook, Këlliçi shkruan se protesta kundër qeverisjes, korrupsionit dhe mënyrës së drejtimit të vendit ka vijuar pa ndërprerje për 50 ditë, ndërsa sipas tij kërkesa për ndryshim politik është kthyer në temën kryesore të diskutimit në vend.
Ai shprehet se kjo lëvizje ka tërhequr vëmendje edhe jashtë Shqipërisë dhe se protestat kanë ndikuar në mënyrën se si shihet situata politike në Tiranë.
Këlliçi ka kritikuar reagimet e kryeministrit Rama ndaj protestës, duke i cilësuar ato si një shenjë të presionit politik ndaj qeverisë.
Sipas tij, opozita ka bërë zgjedhjen e duhur duke qëndruar pranë protestuesve dhe duhet të vijojë mbështetjen e saj.
Postimi i nënkryetarit të PD vjen në një kohë kur protesta në Bulevard ka hyrë në ditën e 50-të, ndërsa përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës vijojnë të mbajnë të tensionuar debatin politik në vend.


