Fitorja e 14 majit, Rama vijon turin e falënderimeve në Gjirokastër: 200 mijë turistë e vizituan në 2022
Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vijoi sot turin e falënderimeve për rezultatin e zgjedhjeve vendore në një takim me banorët e Gjirokastrës.
Dhe siç është zhvilluar gjatë këtyre ditëve në këtë tur, takimi i sotëm nisi me një fjalë të drejtueses së PS-së në Gjirokastër, Mirela Kumbaro, e më pas nga fjalimet e shkurtra të kryebashkiakëve të rinj që dolën nga zgjedhjet vendore të dy javëve më parë.
Gjatë fjalës së tij kryeministri theksoi se vitin e 2022 e kemi mbyllur me 200 mijë turistë.
"Në 2013 e gjetëm me 6 mijë turistë e vizitorë dhe besoj që janë dy shifra që tregojnë gjithçka për çfarë është bërë.
Sa herë vjen në Gjirokastër shikon gjëra të reja. Kur e nisëm rilindjen urbane kishte një hotel e gjysmë, sot janë mbi 250 dyer të hapura, të cilave iu shtohen edhe dyer që janë hapur në bashkitë e tjera deri në Tepelenë.
Tepelena ishte një vend ku të gjithë donin të iknin dhe ku ata që ktheheshin ktheheshin për ndonjë vaki ose për dasëm për të marrë nusen e për të ikur prapë”, tha Rama.
Sot, vijoi Rama, realiteti është tjetër. "Janë 40 milionë euro të investuara nga tepelenasit, emigrantë, të cilët po i rikthehen Tepelenës për të ndërtuar hotele, bujtina dhe diçka e paimagjinueshme, investime private në Tepelenë përtej investimeve që ne kemi bërë që i kanë hapur rrugë këtij zhvillimi", tha ai.
Rama foli edhe për Përmetin për të cilin tha se, është në transformim të vazhdueshëm.
Kryeministri Rama u shpreh se, sot në mëngjes ishim për të qëndruar tek pazari dhe një lokal aty kërkonte një sanitare 60 mijë lekë të reja.
"Paga minimale e hoteleve të Gjirokastrës është domethënëse, po të kemi parasysh nga kemi nisur. Ndërkohë, nuk është më krijimi i vendeve të punës, por është plotësimi i tyre me forca të reja pune sfida më e madhe.
Me rritjen e pagave që kemi nisur po lëviz piramida e pagave në sektorin privat, sipërmarrësit po e kuptojnë që duhet të rrisin pagat nëse duan të marrin mbrapsht investimet e tyre se mund të gjenden pa forcë pune.
Është plotësisht e mundur që numrin e turistëve në Gjirokastër ta çojmë gjysmë milionë, që do të thotë ta rrisim numrin e turistëve në të gjitha zonat e qarkut përfshirë edhe Dropullin”, tha Rama.
Gjate ditës së djeshme ai ishte në Sarandë ku e konsideroi fitoren domethënëse, ndërsa u shpreh se është po ashtu edhe një sfidë e madhe.
Kjo, sipas tij, “është domethënëse për pritshmërinë e madhe të njerëzve nga PS”.
Kryeministri vlerësoi se është një vlerësim i jashtëzakonshëm që në mes të mandatit të tretë njerëzit të kenë pritshmëri të larta.
Por sipas tij, është edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme për ta kuptuar atë votë dhe për të mos pasur asnjë vetëkënaqësi, por për të punuar shumë më tepër akoma.
Rama kërkoi nga të zgjedhurit vendorë që të jenë të njerëzishëm me të gjithë qytetarët dhe që bashkitë të jenë dera e parë e hapur për çdo qytetar.