Vizita në Itali/ Presidenti Begaj shpallet “Qytetar Nderi” nga Komuna e Roshanos
Kreu i Shtetit falënderoi autoritetet e rajonit të Abrucos për ndihmën që i kanë dhënë përherë diasporës shqiptare që të integrohet në shoqërinë italiane.
“Praktikisht në Itali jetojnë më shumë se gjysmë milioni shqiptarë, të cilët janë pjesë e shoqërisë italiane, shumë mirë të integruar në këtë shoqëri,” – tha Presidenti Begaj.
Arbëreshët po ashtu edhe shqiptarët e ardhur pas viteve ’90, asnjëherë nuk kanë qenë të rrezikuar nga asimilimi i gjuhës së tyre apo traditat e tyre.
Presidenti shprehu gëzimin e tij që tashmë në këshillat komunalë ka shqiptarë të zgjedhur, si dhe që në Peskara ishte hapur për herë të parë një shkollë shqipe.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi gjithashtu dhe qytetin e Kietit, ku u prit nga autoritetet lokale, ndër të cilët Kryetari i Bashkisë të Kietit, Diego Ferrara, Presidenti i Provincës së Kietit, Francesco Menna, Prefekti i Chietit, Mario Della Cioppa etj.
Në fjalën e mbajtur gjatë takimit, Presidenti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që i është dhënë shqiptarëve për t’u integruar në Itali, por edhe në ndihmesën që i është dhënë Shqipërisë në proceset integruese.
Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu ndihmën e qendrës spitalore të Kietit dhe Provincës së Kietit, në trajtimin e fëmijëve dhe pacientëve shqiptarë, veçanërisht në repartin e hematologjisë.
Në fund të takimeve të tij, Presidenti kërkoi që komuniteti shqiptar i vjetër dhe i ri në Itali, ashtu sikundër dhe komuniteti Italian në Shqipëri, të vazhdojnë të jenë një urë lidhëse e fortë mes Shqipërisë dhe Italisë.