Berisha: Agjencia më e korruptuar e Shqipërisë është Agjencia e Shoqërisë së Informacionit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi këtë të shtunë një konferencë me departamentin e Arsimit të Lartë, Shkencës dhe Inovacionit në bashkëpunim me University of Neë Haven, Amerikë me temë, “E ardhmja e arsimit shqiptar përmes teknologjisë dhe imformacionit.”

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se agjencia më e korruptuar e Shqipërisë është Agjencia e Shoqërisë së Informacionit.

“Po të shohësh arsimin tonë, është në rrënim, është në shkatërrim.

Shqipëria në analet e historisë do të mbetet në këto vite, rasti klasik i rrënimit të një kombi, rrënimit të një shteti, rrënimit të sistemeve të këtij shteti nga dy faktorë: vjedhja dhe droga.

Nuk duhet të bëj një analizë të gjatë të kësaj, por do ndalem vetëm te arsimi.

Nëse dixhitalizimi dhe mosha dixhitale kanë një dimension jetik për një shoqëri, është transparenca që ajo sjell në të gjitha fushat ku aplikohet.

A mund të imagjinohet që, pikërisht në këtë fushë, Edi Rama ka vendosur blackout të plotë. Agjencia më e korruptuar e Shqipërisë është Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, e cila përdor qindra milionë euro të taksapaguesve me tendera sekrete. I bën me tendera sekretë se vjedh bashkë me të afërmit e Edi Ramës.

Ajo që duhej të ishte modeli i transparencës, është modeli i blackout-it.

Meqë jemi këtu, vendosja e sistemit të prokurimeve dixhitale në vitet 2008-2009 solli një shumëfishim të pjesëmarrësve. Nga 8200 në vit arritën në 56 mijë. Imagjinoni tani Edi Ramën me Zonjën Errësirë se si tenderat i dixhitalizimit i bën të gjitha të fshehta”, deklaroi Berisha.

Berisha theksoi se arsimi është viktimë e kleptokracisë, ne duhet të ofrojmë një kthesë serioze

"Arsimi është viktimë e kleptokracisë dhe në rrafshin psikologjik, jam përpjekur dhe përpiqem të analizoj qëndrimin e këtyre qeveritarëve ndaj qytetarëve, ndaj arsimit, ndaj shëndetësisë. Është tipik qëndrimi i atij që vjedh dhe përçmon viktimën. Në Shqipëri, një pedagog universiteti paguhet tre herë më pak se shoferi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Një pedagog paguhet më keq se në diktaturën hoxhiste. Bllokoi doktoraturat në një akt prej injorantësh, ua la universiteteve private se ndante me ta taksat që u viheshin doktorantëve. Katastrofë është gjendja në arsimin parauniversitar. Është partizuar tërësisht, janë përdorur të gjitha format për ta shndërruar në arsim socialist. Portali është një kurth, një mashtrim.

Profesioni i mësuesit nuk pëlqehet më. Besoj se e dëgjuat, në programet e shpallura për mësues aplikuan vetëm dy maturantë. Faktori demografik është një tjetër faktor shkatërrues për arsimin tonë. Këtë vit Mirdita kishte vetëm 100 nxënës në klasat e para. Investimet janë bllokuar totalisht në zonat rurale, çka do të thotë largim, shpopullim. Të gjitha këto janë probleme të mëdha, por ne nuk duhet të dorëzohemi para tyre. Përkundrazi, ne duhet të përgatisim me përgjegjësi të madhe programin dhe platformën për të shënuar me shpejtësi një kthesë serioze në arsimin tonë. Në këtë gjendje, kjo konferencë është një burim drite, shprese për arsimin. Nuk duhet të rreshtim në përpjekjet për t’i qëndruar kohës, për të ecur me kohën", deklaroi Sali Berisha.

sali berisha berisha arsimi

EMISIONET