Zbardhet biseda me Spahinë/ Dukagjini kërkon rrugën, Bashkia e Shkodrës: Qeveria hoqi fondet dhe i kaloi bashkive në jug

Zbardhet biseda me Spahinë/ Dukagjini kërkon rrugën, Bashkia e

Komunitetit dukagjinas pas takimeve me Bashkinë dhe Prefekturën e Shkodrës ka zbardhur dhe kërkesat konkrete të bëra ndaj dy institucioneve më të larta vendore në Shkodër.

Përmbledhje e takimit që Komisioni i Dukagjinit ka bërë në Bashkinë e Shkodrës

Për transparencë ndaj opinionit të gjerë publik! Në dt. 13 mars, ora 19:00  me kërkesën e Kryetarit të Bashkisë së Shkodres, z. Spahia, patëm një takim, të cilin nuk dimë sesi ta përkufizojmë: formal apo informal-, relativ me kërkesën tonë për ndërtimin e Rrugës së Dukagjinit, me vetë kryebashkiakun dhe me nënkryetarin e Bashkisë, z. Tonin Dedaj.

I falenderojmë përfaqësuesit e Bashkisë për ftesën dhe për mikpritjen e tyre. Për të qenë të qartë me të gjithë qytetarët që dëshirojnë të njohin të vërtetën dhe për të evituar gjykimet që mund të krijohen apriori, dëshirojmë t’i informojmë, se edhe pse komisioni shprehu dëshirën që të ishin të pranishme mediat lokale, thjesht për të lehtësuar ushtrimin e ‘sensit kritik’ të qytetarëve dhe për të çertifikuar vërtetësinë e bisedës, për arsye të ndryshme objektive apo subjektive nuk u bë e mundur të konkretizohet një kërkesë e tillë nga ana e Bashkisë.

Në takimin që u zhvillua me dyer të mbyllura, komisioni në kërkesat e tij iu referua  deklaratës së  z. Dedaj (dt. 20 shkurt), dokumentacionit që përfshin intervalin kohor: 13 gusht 2021 -07 shkurt 2023 (dokumentacioni në fjalëpërfshin vetëm dy vitet e fundit dhe gjendeti publikuar në faqen zyrtare në Facebook të Bashkisësë Shkodres) dhe deklaratës së z. Spahia (dt.12 mars). Substraktet e dy deklaratave në fjalë po i sjellim edhe një herë:

Citojmë z. Dedaj: “Bashkia Shkodër ka marrë edhe masat përkatëse të saja për të bërë të mundur këtë investim të këtij segmenti rrugor.

[...]me një fond 110 milion lekë të vjetra për rehabilitimin e atij segmenti rrugor.

[...] Ne sërish kemi bërënjë projekt dhe e kemi dorëzuar me dt.9 shkurt në zyrën që ka bërë thirrjen për të investuar në veprat e artit të kësaj rruge dhe pastaj rehbilitimin, sheshimin dhe ndërtimin e urave do ta bëjë Bashkia Shkodër”.

Bashkia Shkodër: “Ashtu si në rastin e anullimit të financimit të rrugës së Dukagjinit në vitin 2013 nga ana e FSHZH-së me drejtor z. Beci, edhe pse projekti dhe fondi ishin gati nga qeverisja e PD-së, fondet iu hoqën rrugës së Dukagjinit dhe i kaluan bashkive të tjera në jug” (ky substrakt është shkëputur nga komunikata e Bashkisë e dt. 12 mars dhe gjendet e publikuar në profilin Facebook: Bashkia Shkodër)

Z. Spahia:  “Kishte projekt edhe për vazhdimin e rrugës së Dukagjinit nga Prekali ku ishte mbyllur faza e parë e investimit, por e anulluan si hakmarrje politike krahinore dhe sepse ishte gjithçka e realizuar nga qeverisja e PD deri në vitin 2013” (komunikata e dt. 12 mars)

Cilat ishin kërkesat tona gjatë takimit?

•       Në qoftë se mirëmbajtja e Rrugës së Dukagjinit është përgjegjësi juridike e Bashkisë së Shkodres, dëshirojmë të dimë çfarë është bërë deri më sot në këtë drejtim?

•       Cilat janë masat e marra nga Bashkia për të bërë të mundur investimin e këtij segmenti rrugor?(pyetja i referohet deklaratës së z. Dedaj)

•       Të njihemi me projektin që z.Dedaj thotë: “kemi bërë një projekt dhe e kemi dorëzuar me dt.9 shkurt në zyrën që ka bërë thirrjen për të investuar në veprat e artit”.

•       Të njihemi dhe të konsultojmë projektin e rrugës së Dukagjinit për të cilin z. Spahia shprehet: “e anulluan si hakmarrje politike krahinore dhe sepse ishte gjithçka e realizuar nga qeverisja e PD deri në vitin 2013”.

Cilat janë kërkesat tona pas takimit në fjalë?

•       Për aq sa legjislacioni e lejon, dëshirojmë që përgjigjet në lidhje me pyetjet e shtruara më sipër të bëhen publike dhe të jenë të çertifikuara nga ana ligjore.

•       Pasi të konsultojmë projektet në fjalë (shih., citimet e z. Dedaj dhe z. Spahia), nga një kopje e përfunduar e këtyre dy projekteve t’i dorëzohet komisionit për studim dhe arkivim.

•       Kur do të konkretizohet në realitet fondi prej 2, 390, 400 lekë(nëse nuk është konkretizuar ende),i cili është miratuar në Vendimin Nr. 50 të datës 27 shtator 2022, i titulluar: “ Mbi miratimin e rishpëndarjes së fondit për mbrojtjen civile, Bashkia Shkodër”, me Nr.programi (zëri: Shtesë) 3280 -1/ Aktiviteti: P03280.O1.A1/A.2 ndër të tjera shkruhet: “Loti II: Shërbime për mirëmbajtje emergjente të segmentit “Ura Mesit – Prekal – Kir – Mali Shoshit – Breglumi – Nderlysaj – Theth”?

Çfarë do të bëjmë nëse kërkesat tona, sipas gjykimit tonë subjektiv, të drejta, dhe premtimet nuk do të merren në konsideratë?

•       Duke u shprehur me teknikën gjuhësore të analogjisë për ‘via negationis’, nuk do të     lejojmë që protesta dhe kërkesat tona të politizohen dhe të bëhen subjekt i diatribave   politike që dalin qartë në deklaratat e përfaqësuesve të Qeverisë dhe Bashkisë.

•       Nuk do të bojkotojmë zgjedhjet, sepse votën e konsiderojmë një të drejtë dhe        njëkohësisht një detyrim qytetar ndaj vendit tonë.

•       Do të ndjekim hap pas hapi të gjitha pikat që kemi prezantuar në dy komunikatat    pararendëse dhe në rast se përsëri nuk do të plotësohen, do të përsiasim për dimensione të reja që mund të na ndihmojnë për të mishëruar në realitet kërkesën tonë -besojmë- të drejtë për Rrugën e Dukagjinit.

Me besimin e plotë që kërkesa jonë do të merret në konsideratë dhe që së shpejti do të kemi një rezultat konkret pozitiv, shprehim konsideratën tonë të thellë për të gjitha institucionet shtetërore, qendrore dhe lokale.

rrugë bardh spahia dukagjini bashkia e shkodrës

EMISIONET