Sot është Dita Botërore e Breshkave të Detit

Sot është Dita Botërore e Breshkave të Detit.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kujtoi rëndësinë e mbrojtjes së këtyre krijesave të jashtëzakonshme, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në ekosistemet detare. Ndryshimet klimatike, mbetjet plastike, ndotja, ngecja në rrjetat e peshkatarëve dhe dëmtimi i habitateve natyrore janë ndër kërcënimet kryesore për breshkat e detit.
Nga speciet e breshkave detare që gjenden në nivel global, tri prej tyre janë hasur edhe në ujërat shqiptare: breshka kokëmadhe e detit (Caretta caretta), breshka e gjelbër e detit (Chelonia mydas) dhe breshka lëkurore (Dermochelys coriacea).
Organizatat e ndryshme në mbrojtje të këtyre kafshëve, ftojnë për përpjekje globale për të mbrojtur breshkat e detit, të cilat janë ndër krijesat më të vjetra në Tokë, duke mbetur të pandryshuara për 110 milion vjet.
Gjatë verës, breshkat ndjekin një ritual të lashtë riprodhues, në të cilin femra largohet nga deti dhe zvarritet në breg për të gërmuar një fole në rërë. Breshka femër përdor pendët e saj të pasme për të gërmuar gropën e folesë dhe më pas lëshon rreth 100 vezë. Pasi lëshon vezët, breshka i mbulon ato dhe e kamuflon vendin e folesë para se të kthehet në oqean. Breshkat folezuese mund të kthehen në fole për të lëshuar vezë disa herë dhe zakonisht bëjnë fole çdo dy deri në tre vjet.
Temperatura ka një ndikim të rëndësishëm në raportin gjinor të breshkave të detit. Temperaturat më të ngrohta prodhojnë më shumë femra, ndërsa temperaturat më të ftohta prodhojnë më shumë meshkuj. Vezët çelin pas një inkubacioni prej dy muajsh. Breshkat e sapodala nga vezët, lëvizin drejt detit natën duke përdorur ndriçimin e qiellit. Dritat artificiale mund t’i shpërqendrojnë të vegjlit nga gjetja e rrugës për në det apo oqean.



