Ligji i faljes, Tatimet: Pas shlyerjes së detyrimeve nis zhbllokimi i llogarive bankare

Ligji i faljes, Tatimet: Pas shlyerjes së detyrimeve nis zhbllokimi i

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi pyetje-përgjigjet më të fundit lidhur me zbatimin e ligjit “Për fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara”, duke u bërë thirrje tatimpaguesve të përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara brenda afateve të përcaktuara.

Administrata Tatimore rikujton se tatimpaguesit që synojnë të përfitojnë nga fshirja e 50% të detyrimit principal të papaguar për periudhën 2015-2019 duhet të paguajnë 50% e mbetur deri më 30 qershor 2026. Në të kundërt, ata mund të përfitojnë nga fshirja e 25% të principalit, duke shlyer 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026.

Sipas DPT-së, ligji zbatohet vetëm për detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara ndaj Administratës Tatimore Qendrore, Administratës Tatimore Vendore dhe Doganës.

Për këtë arsye, nuk përfitojnë nga skema e fshirjes gjobat e vendosura për mosdorëzimin në afat të pasqyrave financiare apo për mosdeklarimin e pronarëve përfitues në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Ndërkohë, tatimpaguesit që kanë shlyer plotësisht detyrimin principal për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përfitojnë nga falja e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave që i përkasin periudhës deri më 31 dhjetor 2024.

Për detyrimet e krijuara gjatë viteve 2020-2024 nuk parashikohet falje e principalit. Megjithatë, ligji mundëson fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që detyrimi tatimor përkatës të paguhet i plotë gjatë periudhës 10 qershor – 31 dhjetor 2026.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se përfitimet që lidhen me fshirjen e 50% ose 25% të principalit konsiderohen përfitime me kusht dhe vlejnë vetëm për detyrimet tatimore të papaguara të periudhës 2015–2019. Në të dyja rastet, pas pagesës së principalit sipas kushteve të ligjit, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.

Nga ky ligj përjashtohen tatimpaguesit e dënuar me vendim të formës së prerë ose ata që janë në hetim apo proces gjyqësor për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, para ose gjatë zbatimit të tij.

Lidhur me masat shtrënguese, Administrata Tatimore bën të ditur se do të identifikojë periodikisht tatimpaguesit që rezultojnë pa detyrime dhe do të procedojë me heqjen e masave të vendosura, përfshirë zhbllokimin e llogarive bankare.

Megjithatë, për të përshpejtuar procedurën, tatimpaguesit mund të paraqesin kërkesë për heqjen e masave përmes sistemit e -Filing pasi të kenë verifikuar se nuk kanë detyrime të papaguara.

Gjithashtu, administrata sqaron se nuk përfitojnë nga fshirja ose shuarja e detyrimeve tatimore subjektet për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore, pavarësisht ushtrimit të rekursit nga ana e tatimpaguesit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të informohen mbi kushtet dhe afatet e përcaktuara në ligj, në mënyrë që të mos humbasin mundësinë për të përfituar nga lehtësitë fiskale të ofruara. 

EMISIONET