Jürgen Klopp kritikon organizimin e Botërorit: Futbolli po mbahet peng nga sponsorët

Ish-trajneri i Liverpoolit, Jürgen Klopp, ka lëshuar kritika të forta ndaj mënyrës së organizimit të ndeshjeve në Botëror, duke vënë në dyshim arsyet e vërteta pas ndërprerjeve për hidratim gjatë takimeve.
Në një intervistë për median gjermane ZDF, tekniku gjerman deklaroi se futbolli po kontrollohet gjithnjë e më shumë nga drejtues që, sipas tij, janë larg realitetit të lojës dhe interesave të futbollistëve.
“Futbolli po mbahet peng nga drejtues të mbyllur në zyra me ajër të kondicionuar. Këto të ashtuquajtura pushime për hidratim na janë paraqitur si një masë për mbrojtjen e mirëqenies së lojtarëve, por në realitet nuk janë gjë tjetër veçse një kafaz i artë i ndërtuar për sponsorët”, u shpreh Klopp.
Ish-trajneri i Liverpoolit theksoi se gjatë ndeshjeve të zhvilluara në temperatura të larta ka parë futbollistë të detyruar të qëndrojnë pa lëvizur gjatë ndërprerjeve, ndërsa ritmi i lojës, sipas tij, diktohej më shumë nga nevojat e transmetimeve televizive dhe reklamave sesa nga aspektet sportive.
“Kam parë lojtarë që qëndronin të palëvizshëm gjatë pushimeve për shkak të vapës, ndërsa ndërprerjet publicitare përcaktonin ritmin e ndeshjes. Pyetja që shtrohet është: kujt i shërben vërtet Kupa e Botës? Tifozëve, lojtarëve apo reklamuesve?”, deklaroi ai.
Komentet e Klopp vijnë në një moment kur debati mbi ngarkesën fizike të futbollistëve, kushtet klimatike dhe ndikimin në rritje të faktorëve komercialë në futbollin modern vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në arenën ndërkombëtare.


