Raporti ngre pikëpyetje/ Zhvillime të reja për ndarjen nga jeta në mënyrë misterioze të aktores turke Ece İrt

Vdekja e papritur e aktores turke Ece İrtem vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, ndërsa autoritetet kanë publikuar raportin e parë paraprak të Institutit të Mjekësisë Ligjore, duke hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
Sipas mediave turke, raporti fillestar nuk ka konstatuar shenja dhune, helmimi apo trauma në trupin e aktores 35-vjeçare.
Hetuesit dyshojnë se shkaku i mundshëm i vdekjes mund të ketë qenë një atak kardiak, megjithatë përgjigjja përfundimtare do të jepet vetëm pas përfundimit të autopsisë së plotë.
Pas ndarjes së saj nga jeta më 15 qershor 2026, vetëm një ditë pas ditëlindjes, Prokuroria ka nisur një hetim të plotë për zbardhjen e rastit. Avokati i familjes, Uğur Gökkoyun, deklaroi se aktorja ndërroi jetë në banesën e saj dhe se çdo pistë po shqyrtohet me kujdes.
Në dosjen hetimore janë përmendur edhe pretendime të pakonfirmuara se Ece İrtem mund të ketë qenë nën trajtim me antidepresantë dhe se një natë para vdekjes kishte konsumuar alkool së bashku me medikamente me recetë. Deri më tani, këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Një tjetër pistë që po verifikohet lidhet me një kafshim majmuni gjatë një udhëtimi në Tajlandë.
Sipas avokatit të familjes, në krahun e aktores janë vërejtur disa shenja dhe nuk përjashtohet mundësia që një infeksion i rrallë të ketë shkaktuar komplikacione serioze, megjithëse kjo mbetet vetëm një hipotezë hetimore.
Ndërkohë, avokati ka mohuar raportimet që i atribuoheshin nënës së aktores, duke sqaruar se ajo ndodhet ende në gjendje shoku dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin shkakun përfundimtar të vdekjes pas publikimit të raportit të plotë të autopsisë.



