Studimi / Debatet gjatë shtatzënisë mund të rrisin rrezikun e lindjes së parakohshme

Një studim i ri ka ngritur alarmin për ndikimin që stresi dhe konfliktet në marrëdhënie mund të kenë gjatë shtatzënisë. Sipas hulumtimit të publikuar në revistën shkencore Psychoneuroendocrinology, debatet e vazhdueshme dhe marrëdhëniet e tensionuara mund të rrisin ndjeshëm rrezikun e lindjes së parakohshme.
Studiuesit zbuluan se konfliktet e shpeshta shoqërohen me nivele më të larta të kortizolit dhe hormoneve të tjera të stresit, të cilat mund të kalojnë përmes placentës dhe të ndikojnë në zhvillimin e fetusit.
Sipas të dhënave, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj stresit gjatë shtatzënisë lidhet me një rrezik më të lartë për lindje para kohe, peshë më të ulët të foshnjës në lindje dhe probleme të mundshme në zhvillimin neurologjik të saj.
Gjetjet mbështeten edhe nga një meta-analizë e publikuar në vitin 2023, e cila përfshiu 30 studime dhe afro 200 mijë shtatzëni. Ajo tregoi se gratë që përjetonin nivele të larta konfliktesh në marrëdhënie kishin dukshëm më shumë gjasa të sillnin në jetë foshnjat para afatit, krahasuar me ato që jetonin në ambiente më të qeta.
Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë mjekë obstetër-gjinekologë po përfshijnë pyetje rreth stresit emocional, konflikteve familjare dhe marrëdhënieve në kontrollin prenatal, duke i konsideruar ato faktorë të rëndësishëm klinikë për shëndetin e nënës dhe foshnjës.
Ndërkohë, një tjetër studim i publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences ka sugjeruar se shtatzënia mund të ndikojë edhe në plakjen biologjike. Hulumtimi, i kryer me 1,735 pjesëmarrës në Filipine, analizoi ADN-në dhe historitë riprodhuese për të kuptuar më mirë lidhjen mes shtatzënisë dhe proceseve biologjike të plakjes.
Ekspertët theksojnë se mbështetja emocionale, një mjedis i qetë familjar dhe menaxhimi i stresit janë po aq të rëndësishme sa kujdesi fizik gjatë shtatzënisë, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e nënës dhe zhvillimin e foshnjës.



