"Ndjej përgjegjësi të qëndroj" / Aktori i njohur refuzon të largohet nga SHBA pavarësisht shtetësisë së re

Aktori i njohur Jesse Eisenberg ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga Shtetet e Bashkuara, edhe pse së fundmi ka marrë shtetësinë polake.
Gjatë pjesëmarrjes në Karlovy Vary International Film Festival, ku u nderua me një çmim presidencial, Eisenberg u shpreh se ndjen një përgjegjësi morale për të qëndruar në New York dhe për të ndihmuar komunitetin në një periudhë që ai e cilësoi sfiduese për historinë amerikane.
"Ndjej përgjegjësi të qëndroj dhe të ndihmoj njerëzit," u shpreh aktori, duke theksuar se largimi nga vendi për shkak të zhvillimeve politike nuk është një zgjidhje që ai e konsideron të drejtë për veten.
Eisenberg tregoi se, megjithëse është i lumtur me jetën personale dhe profesionale, ai beson se kontributi më i madh jepet duke qenë pranë komunitetit. Sipas tij, edhe angazhimi i bashkëshortes së tij si mësuese, e cila punon çdo ditë me nxënës që përballen me sfida të ndryshme, e ka forcuar bindjen për të mos u larguar.
Aktori foli gjithashtu për projektet e reja artistike, mes tyre filmin muzikor-komedi The Debut, ku luajnë Julianne Moore dhe Paul Giamatti, me premierë të planifikuar në dhjetor në SHBA.
Në intervistë ai komentoi edhe debatet që kanë përfshirë industrinë e filmit lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale, pas bashkëpunimeve mes kompanive teknologjike dhe studiove të mëdha të Hollywood-it.
Kujtojmë se Jesse Eisenberg ka marrë së fundmi vlerësime të shumta edhe për një vendim jashtëzakonisht human: ai ka njoftuar se do të dhurojë një nga veshkat e tij për një person të panjohur, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të thjeshtë altruizmi.


