Incident në Detin Norvegjez/ Aeroplanët luftarakë britanikë F-35 interceptojnë mjetin fluturues rus

Tensionet mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë janë zhvendosur sërish në hapësirën ajrore mbi ujërat ndërkombëtare. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka njoftuar zyrtarisht se aeroplanët luftarakë të Forcave Mbretërore kanë interceptuar një aeroplan rus, i cili kreu manovra të rrezikshme pranë një prej aseteve më të rëndësishme detare britanike.
Sipas deklaratës zyrtare, incidenti ndodhi në Detin Norvegjez, ku grupi sulmues i aeroplanmbajtëses britanike po kryente manovra në kuadër të të ashtuquajturit "Operacioni Firecrest".
Ministria britanike sqaroi se një aeroplan rus i patrullimit detar i tipit "Bear-F" iu afrua në mënyrë të përsëritur aeroplanmbajtëses gjigante HMS Prince of Wales. Përballë kësaj situate, forcat britanike u përpoqën të kontaktonin me ekuipazhin rus, por nuk morën asnjë përgjigje.
"Aeroplani u interceptua dhe u shoqërua nga aeroplanët F-35 të Mbretërisë së Bashkuar që u ngritën nga HMS Prince of Wales dhe u mbajt nën monitorim gjatë gjithë kohës", thuhet në njoftimin e ministrisë.
Autoritetet ushtarake britanike kanë shprehur shqetësim të madh për mënyrën se si piloti rus operoi në zonë, duke e cilësuar sjelljen si një provokim të panevojshëm.
Deri më tani, nga Moska zyrtare nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me këtë incident apo mbi pretendimet e Londrës për shkelje të rregullave të sigurisë gjatë fluturimit në hapësirën ajrore ndërkombëtare./AA


