SPALLETTI KËRKON TRE PËRFORCIME! Portieri, mesfusha dhe sulmi mbeten prioritetet e merkatos së Juventusit
Luciano Spalletti ka nisur punën një javë përpara grumbullimit të Juventusit dhe ka përcaktuar prioritetet e merkatos. Mediat italiane raportojnë se tekniku kërkon një portier, një mesfushor dhe një sulmues me përvojë për sezonin e ri.

Trajneri i Juventusit, Luçiano Spalletti, ka ndërprerë pushimet një javë më herët për të nisur punën në prag të sezonit të ri, ndërsa ka përcaktuar edhe prioritetet e merkatos verore. Sipas mediave italiane, tekniku bardhezi i ka kërkuar drejtorit sportiv Giovanni Carnevali përforcime në tre pozicione kyçe: portier, mesfushor qendre dhe sulmues.
Pas afrimit të Ekhator dhe Muharemovic, si edhe konfirmimit të blerjes përfundimtare të Jeremie Boga, Spalletti synon të plotësojë repartet ku skuadra ka më shumë nevojë për përvojë. Megjithatë, negociatat nuk pritet të jenë të lehta për shkak të kufizimeve financiare që lidhen me marrëveshjen e klubit me autoritetet e futbollit.
Për portën, Juventusi po shqyrton disa alternativa. Emra si Alisson, Mile Svilar, Marco Carnesecchi dhe Emiliano "Dibu" Martínez janë përmendur më herët, por pengesat financiare kanë vështirësuar çdo lëvizje. Aktualisht, Guglielmo Vicario mbetet një nga kandidatët kryesorë, ndërsa bardhezinjtë kanë shfaqur interes edhe për Zion Suzuki të Parmës.
Në mesfushë, Spalletti dëshiron të ribashkohet me Stanislav Lobotka, të cilin e drejtoi te Napoli gjatë sezonit të fituar me titull kampion. Ndërkohë, Leon Goretzka dhe Franck Kessie mbeten alternativa të mundshme nëse do të jenë të disponueshëm.
Për sulmin, objektivi kryesor vijon të jetë Randal Kolo Muani. Bisedimet me Paris Saint-Germain kanë vazhduar prej muajsh, por marrëveshja nuk është arritur ende. Sipas raportimeve, klubi francez kërkon të paktën 40 milionë euro për kartonin e sulmuesit, ndërsa Juventusi synon ta mbyllë transferimin për rreth 35 milionë euro. Diferenca financiare mbetet pengesa kryesore, ndërsa drejtori sportiv Giovanni Carnevali pritet të vazhdojë negociatat në ditët në vijim.

