Protestat në Tiranë, Gjermania: Çdo aktivitet në përputhje me vlerat e BE-së, i mirëpritur! Kush mban përgjegjësi për aktet e dh*nës?

Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në Borovë, ku u kujtuan viktimat e masakrës së 6 korrikut 1943.

"Ky është një moment shumë i dhimbshëm për një ambasador gjerman, sepse jemi këtu për të nderuar viktimat e një masakre të kryer nga ushtria gjermane më 6 korrik 1943. Sot shënohen 83 vjet nga ajo tragjedi, ku humbën jetën 107 burra, gra dhe fëmijë.

Kjo është e dhimbshme për mua, sepse ndaj dhimbjen e banorëve të këtij vendi dhe të familjeve që ende jetojnë me pasojat e asaj ngjarjeje. Shumë prej tyre nuk patën kurrë mundësinë të njihnin gjyshërit, xhaxhallarët, hallat apo vëllezërit e tyre, që nuk arritën të rriteshin.

Është e dhimbshme edhe për mua si ambasador, sepse kjo ndodhi në emër të Gjermanisë dhe të popullit gjerman. Por, njëkohësisht, ne duam të shohim drejt së ardhmes.

Duhet të kujtojmë emrat e atyre që u vranë dhe të nxjerrim mësime nga historia, në mënyrë që ajo të mos përsëritet. Ne themi gjithmonë 'kurrë më' dhe kjo nënkupton ndërtimin e një shoqërie të bazuar te toleranca, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Këto janë edhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Ne mbështesim Shqipërinë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe jemi të lumtur që populli shqiptar është i përkushtuar ndaj këtyre parimeve. Mbështetja jonë është veçanërisht në aspektin teknik të procesit, por vlerësojmë edhe të gjithë ata që në jetën e përditshme mbrojnë sundimin e ligjit, mjedisin dhe vlerat evropiane.

Do të doja të shtoja se kjo është një ditë për të mësuar nga e shkuara, për të nderuar viktimat, për të ndarë dhimbjen me familjet e tyre dhe për të parë përpara.", theksoi diplomati gjerman.

I pyetur për protestat në Shqipëri dhe rastet e dhunës, ambasadori u shpreh:

"Çdo aktivitet i shoqërisë civile që zhvillohet në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian është i mirëpritur. Protestat e dhunshme nuk janë në përputhje me këto vlera. Kush mban përgjegjësi për aktet e dhunës është ende çështje që duhet të sqarohet."

EMISIONET