Samiti i NATO-s në Turqi/ Trump takime kyçe me Zelenskyy-n dhe Al-Sharaa për t'i dhënë fund luftës

Samiti i NATO-s në Turqi/ Trump takime kyçe me Zelenskyy-n dhe

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të udhëtojë këtë javë drejt Turqisë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, ku në qendër të agjendës së tij do të jetë një përpjekje e re diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë, si dhe zhvillimet e fundit gjeopolitike.

Trump pritet të mbërrijë në samit ditën e martë, ku takimin e parë do ta zhvillojë me mikpritësin e këtij eventi, presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar gjithashtu se përgjatë kësaj vizite, Trump do të takohet me presidentin e ri sirian, Ahmed al-Sharaa, dhe do të mbajë një konferencë për shtyp.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, i cili informoi mediat në kushte anonimiteti, takimi i shumëpritur mes Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të zhvillohet ditën e mërkurë. Fokus i bisedës do të jetë gjetja e një rruge drejt paqes.

"Fusha e betejës ka qenë e ngrirë qartë gjatë dy muajve të fundit dhe asnjëra palë nuk po bën shumë përparim. Presidenti ndjen një ndjenjë të vërtetë urgjence për të provuar ta ndalojë këtë", u shpreh zyrtari amerikan.

Përveç çështjes së Ukrainës, Trump pritet të mbajë një qëndrim të prerë përpara aleatëve euroatlantikë.

Edhe pse zyrtarët evropianë shpresojnë se marrëdhëniet e mira të Trump me Erdoganin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, do të garantojnë një samit të qetë, brenda aleancës mbetet një ndjesi pasigurie e shkaktuar nga tensionet transatlantike për çështjen e Iranit dhe kritikat e shpeshta të liderit amerikan ndaj strukturës së NATO-s.

EMISIONET