RIKTHEHET MBRETËRESHA E POPIT! Madonna: Dua të bëj botën të kërcejë këtë verë, sjell gëzim
Madonna rikthehet fuqishëm në skenën muzikore botërore. Albumi i saj më i ri, "Confessions II", ka debutuar në vendin e parë të klasifikimit amerikan Billboard 200, duke i dhënë artistes suksesin e dhjetë në krye të listës dhe një tjetër rekord në karrierën e saj.

Pas shtatë vitesh pritjeje, Madonna ka rikthyer emrin e saj në majën e klasifikimeve muzikore. Albumi i ri "Confessions II", i publikuar më 3 korrik, ka debutuar direkt në vendin e parë të Billboard 200, duke u bërë albumi i dhjetë i artistes që arrin këtë sukses në Shtetet e Bashkuara.
Këngëtarja ndau emocionet e saj me fansat përmes një postimi në Instagram, ku falënderoi publikun për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe shprehu mirënjohjen për ekipin që punoi në realizimin e albumit.
“Ëndrra ime ishte të bëja botën të kërcejë këtë verë dhe t’u sjell njerëzve gëzim. Ëndrrat bëhen realitet”, shkroi Madonna, duke e cilësuar suksesin si një moment të paharrueshëm në karrierën e saj.
"Confessions II" është vazhdimi i albumit ikonik "Confessions on a Dance Floor" të vitit 2005 dhe përmban 16 këngë të reja. Publikimi u shoqërua edhe me filmin e shkurtër "Confessions II – The Film", i cili pati premierën në Festivalin e Filmit Tribeca.
Me këtë arritje, Madonna forcon edhe më shumë statusin e saj si "Mbretëresha e Popit". Ajo bëhet artistja e vetme që ka pasur albume numër një në pesë dekada të ndryshme, nga vitet 1980 deri në vitet 2020.
Po ashtu, ajo barazon rekordin e The Beatles, me dhjetë albume që kanë arritur vendin e parë si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke shtuar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e muzikës botërore.


