Kërkohen 35 vite burg për gardistin që vrau me armë gruan: Me turbullime psiqike por i përgjegjshëm
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 35 vite burgim për efektivin e Gardës së Republikës Alket Rapaj që ekzekutoi me armë, gruan e tij Ervilma Seferaj.
Kjo masë dënimi është kërkuar nga prokurori i çështjes, i cili duke marë shkak dhe nga ekspertiza psiqike që nxirte gardistin me turbullime psiqike por jo të papërgjegjshëm, ka kërkuar dënimin e tij me 35 vite burgim.
Ky është dënimi më i ulët për vrasjet e kryera në familje, duke shpëtuar gardistin Alket Rapaj nga dënimi me burgim të përjetshëm.
Krimi i rëndë ka ndodhur në ambientet e brendshme të shtëpisë, ndërsa shkaku ka qenë xhelozia e vazhdueshme, që kishte Alket Arapaj ndaj bashkëshortes.
Në dosjen e prokurorisë së Tiranës thuhet se të dy bashkëshortët ishin besimtarë të fesë islame dhe frekuentonin rregullisht xhaminë në Tiranë. Nga martesa e tyre 15-vjeçare, çifti Arapaj, kishte lindur një vajzë, e cila në momentin e vrasjes, ishte në gjumë.
Ditën e ngjarjes në datën 12 shkurt 2019 rreth orës 05:00 të mëngjesit, Alket Arapaj, po bëhej gati për në punë, pasi punonte prej 15 vjetëve në radhët e Gardës së Republikës së Shqipërisë.
Por në dalje e sipër nga shtëpia, Arapaj ka nisur sërish konfliktin me gruan e tij, ku shkak ka qenë xhelozia. Në gjaknxehtësi e sipër gardisti Alket Arapaj, ka nxjerrë armën e shërbimit nga brezi dhe ka qëlluar dy herë në pjesën e kokës, gruan e tij Ervilma Seferaj.
Kjo e fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe në momentin kur ka mbërritur policia, Seferaj është gjendur e shtrirë në ambientet e kuzhinës. Për krimin e rëndë policia e Tiranës është njoftuar nga vetë gardisti Alket Arapaj, i cili ka telefonuar numrin 112, duke u treguar policëve se ishte efektiv i gardës dhe se kishte vrarë bashkëshorten e tij.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar armën e krimit një pistoletë tip “TT” që i përket Gardës së Republikës me 5 fishekë, dy gëzhojë dhe aparatet telefonike.
Gjatë marrjes në pyetje Alket Arapaj ka pranuar autorësinë e krimit, duke shfaqur pendesë.
Ndërsa tashmë, prokuroria e Tiranës ka ngritur ndaj tij akuzën e “Vrasjes për shkak të marrëdhënies familjare”, vepër penale kjo që çon dënimin me burgim të përjetshëm të autorit.
