Rafuna: Kosova rrezikon humbje të mëdha fondesh nga BE për shkak të bllokadës institucionale dhe mungesës së reformave

Rafuna: Kosova rrezikon humbje të mëdha fondesh nga BE për shkak

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se vendi po humb fonde dhe projekte të rëndësishme për shkak të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian dhe bllokadës institucionale.

Sipas tij, Kosova fillimisht ka humbur një pjesë të fondeve për shkak të sanksioneve të BE-së, ndërsa tani rrezikon të humbasë edhe mjete të tjera nga Plani i Rritjes për shkak të mosrealizimit të reformave të kërkuara.

“Po, kanë ndikuar shumë, për shkak se ne nuk kemi arritur që t’i marrim fondet të cilat kanë qenë të parapara për Kosovën. Së pari kishim masat ndëshkuese, ku humbëm prej disa fondeve një pjesën tonë, ndërsa vendet e rajonit i morën të gjitha”, tha Rafuna.

Ai shtoi se edhe Plani i Rritjes paraqet sfidë të madhe, pasi sipas tij, Kosova nuk ka arritur të përmbushë afatet dhe kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Kemi pasur afatin deri më 30 qershor për të dorëzuar raportin dhe për të dëshmuar reformat, por kjo nuk është realizuar siç është kërkuar, dhe këtu rrezikojmë të humbim një shumë të konsiderueshme”, u shpreh ai.

Rafuna paralajmëroi se fondet që Kosova nuk i shfrytëzon, shpërndahen për vendet e rajonit që kanë ecur më shpejt në procesin e reformave dhe integrimeve evropiane.

Ai i bëri thirrje partive politike që të formojnë sa më shpejt institucionet dhe të nisin reformat ekonomike, duke theksuar se vendi ka nevojë për veprim urgjent.

“Na duhen reforma dhe institucione funksionale sa më shpejt, sepse po mbetemi prapa rajonit”, theksoi Rafuna.

EMISIONET