EURO NË RËNIE, EKONOMIA NË SFIDË/ Debat për zgjidhjen: Euroizim i ekonomisë apo kufizim i përdorimit të euros

Rënia e euros po lehtëson përkohësisht importet dhe konsumatorët, por sipas ekspertëve po dëmton eksportet, bujqësinë, turizmin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Për të shmangur pasojat afatgjata, ekonomistët propozojnë qasje të ndryshme, nga euroizimi i ekonomisë deri te kufizimi i përdorimit të euros në transaksionet brenda vendit.

EURO NË RËNIE, EKONOMIA NË SFIDË/ Debat për zgjidhjen:

Rënia e euros në nivele rekord po sjell lehtësime të përkohshme në afatshkurtër, por në të njëjtën kohë po krijon pasoja për ekonominë shqiptare në planin afatgjatë, vlerësojnë ekspertët.

Ekonomisti Enriko Ceko ndalet te ndikimi i kursit të këmbimit, duke shpjeguar se përfitimet afatshkurtra shoqërohen me kosto që, sipas tij, do të ndihen më fort në të ardhmen.

Ndërsa ekonomisti Klodian Muço shpjegon se përfituesit kryesorë të kësaj situate janë importuesit, ndërsa humbjet më të mëdha po i përballojnë sektorët e bujqësisë, turizmit dhe eksportit.

Si pasojë, përfitimet nuk reflektohen plotësisht te qytetarët, ndërsa produktet shqiptare po bëhen më të shtrenjta në tregjet ndërkombëtare, duke humbur konkurrueshmërinë për shkak të kursit të këmbimit.

Megjithatë, zgjidhja për të shmangur dëmet afatgjata mbetet e debatueshme. Ekspertët ndajnë qëndrime të ndryshme, duke propozuar nga njëra anë zëvendësimin e lekut me euron dhe, nga ana tjetër, kufizimin e përdorimit të euros në pagesat brenda vendit.

Ekonomistët rendisin edhe faktorët që kanë ndikuar në zhvlerësimin e euros, mes tyre ekonominë informale, pastrimin e parave, remitancat dhe flukset e larta valutore gjatë sezonit turistik.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit valutor, një euro këmbehet aktualisht me 94.1 lekë, niveli më i ulët i regjistruar këtë sezon veror, ndërsa rënia ka qenë dukshëm më e shpejtë krahasuar me muajt e tjerë të vitit.

EMISIONET