Trump kritikon NATO-n në samitin e Ankarasë: Jam shumë i zhgënjyer nga aleatët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka lëshuar kritika të forta ndaj NATO-s pas mbërritjes në Ankara për samitin e Aleancës, ndërsa u shpreh optimist se lufta në Ukrainë mund të marrë fund së shpejti.
Gjatë një prononcimi për gazetarët, Trump tha se ishte “shumë i zhgënjyer” me NATO-n, duke pretenduar se aleatët nuk e mbështetën Shtetet e Bashkuara pas veprimeve të ndërmarra ndaj Iranit.
“Do ta shohim. Isha shumë i zhgënjyer me NATO-n. Sinqerisht, nëse samiti nuk do të mbahej në Turqi, ku miku im është një udhëheqës shumë i fortë, është e mundur që të mos kisha marrë pjesë”, deklaroi Trump, duke vlerësuar organizimin e samitit në Ankara dhe marrëdhënien me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti amerikan theksoi se SHBA ka investuar “triliona dollarë” për mbrojtjen e vendeve anëtare të NATO-s, por shtoi se nuk mori mbështetjen që priste nga aleatët.
“Ne kemi investuar triliona dollarë për të mbrojtur Evropën, Kanadanë dhe vendet e tjera. Do të prisnit që ata të ishin të gatshëm të na ndihmonin, por në fakt nuk ishin”, u shpreh ai.
Trump komentoi edhe qëndrimin e ish-kryeministrit britanik, Keir Starmer, duke thënë se deklarata e tij se Mbretëria e Bashkuar do të ndihmonte vetëm pas përfundimit të luftës ishte “shumë e papëlqyer”.
“Nuk kishim nevojë për ndihmën e askujt. Në një farë mënyre po i testoja njerëzit për të parë nëse do të ishin aty apo jo”, shtoi presidenti amerikan.
I pyetur për luftën në Ukrainë, Trump bëri të ditur se kishte zhvilluar një “bisedë shumë të mirë” me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe shprehu bindjen se konflikti mund të marrë fund së shpejti.
“Mendoj se do ta zgjidhim. Shpresoj që shumë shpejt të arrihet një zgjidhje”, tha ai.
Trump pritet të zhvillojë të mërkurën një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në kuadër të samitit të NATO-s në Ankara.


