Britania godet Rusinë me sanksione të reja, akuza për a*më kimike dhe helmimin e Navalnyt

Britania godet Rusinë me sanksione të reja, akuza për a*më

Britania ka vendosur një paketë të re sanksionesh ndaj dy instituteve kërkimore ruse dhe disa zyrtarëve të lartë të tyre, duke i akuzuar për përfshirje në programin e armëve kimike të Rusisë dhe në zhvillimin e substancave toksike të lidhura me helmimin e opozitarit rus Alexei Navalny.

Sipas autoriteteve britanike, masat synojnë të ekspozojnë dhe kufizojnë kapacitetet e Rusisë për zhvillimin dhe përdorimin e armëve kimike.

Londra pretendon se institucionet e sanksionuara kanë luajtur rol në zhvillimin e agjentit nervor Novichok, si edhe të Epibatidinës, një toksinë shumë e fuqishme me origjinë nga bretkosat helmuese.

Rasti i Alexei Navalnyt mbetet në qendër të akuzave. Në vitin 2020, ai u sëmur rëndë gjatë një fluturimi në Siberi, ndërsa analizat e kryera në laboratorë perëndimorë arritën në përfundimin se ishte helmuar me Novichok. Navalny ndërroi jetë në një burg rus në vitin 2024.

Britania dhe disa aleatë evropianë kanë bërë të ditur se ai ishte helmuar edhe me Epibatidinë, ndërsa Moska ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në helmimin apo vdekjen e tij.

Në deklaratën e qeverisë britanike rikujtohet edhe sulmi me Novichok në Salisbury në vitin 2018, ku ish-agjenti i dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia, u helmuan me agjentin nervor. Të dy mbijetuan, por qytetarja britanike Dawn Sturgess humbi jetën pasi ra në kontakt me substancën.

Nga ana tjetër, Ambasada ruse në Londër i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si "shpifje". Sipas saj, pretendimet e Britanisë synojnë të krijojnë një perceptim të rremë se Rusia përbën kërcënim dhe të justifikojnë vazhdimin e përballjes politike me Moskën.

EMISIONET