Irani planifikon tarifa për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit

Irani synon të vendosë tarifa për anijet tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit pas një periudhe tranzitore, sipas raportimeve të mediave iraniane.
Masa pritet të hyjë në fuqi në kuadër të marrëveshjes së arritur me Shtetet e Bashkuara t; Amerikës për përfundimin e konfliktit dhe garantimin e lundrimit në këtë korridor strategjik detar.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim dhe medieve të tjera vendase, anijet do të lejohen të kalojnë pa pagesë gjatë një periudhe 60-ditore. Pas kësaj faze, Irani planifikon të vendosë tarifa për shërbimet detare dhe masat e mbrojtjes së mjedisit në ngushticë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, nuk e konfirmoi drejtpërdrejt planin gjatë konferencës së tij javore për shtyp, por ritheksoi qëndrimin e Teheranit se vendi synon të mbledhë tarifa për shërbimet e navigimit dhe mbrojtjen mjedisore.
Një veprim i tillë do të binte ndesh me ligjin ndërkombëtar detar dhe duket se kundërshton deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha dje se kishte arritur një marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund luftës dhe për të siguruar hapjen e Ngushticës së Hormuzit pa tarifa kalimi.
Teksti i plotë i marrëveshjes, e cila pritet të nënshkruhet të premten në Zvicër, nuk është publikuar ende. Analistët vlerësojnë se deklaratat e fundit mund të synojnë qetësimin e fraksioneve konservatore në Iran, të cilat kanë kritikuar kompromiset me Uashingtonin.
Po ashtu, vendosja e tarifave mund t’i japë Teheranit një mjet shtesë presioni në negociatat e ardhshme. Irani ka diskutuar më herët me Oman krijimin e një mekanizmi për menaxhimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit, i cili mund të përfshijë pagesa për anijet që kalojnë.
Së fundmi, autoritetet iraniane kanë krijuar edhe një institucion të ri, të quajtur “Persian Gulf Strait Authority”, me detyrën për të rregulluar trafikun detar në këtë rrugë ujore me rëndësi jetike për tregtinë globale dhe furnizimin botëror me energji.


